Sport

Arrestohet futbollisti i Prishtinës

Klubi i futbollit Prishtina ka njoftuar se është arrestuar futbollisti i klubit Liridon Leci.

Ky klub nuk ka njoftuar për ndonjë arsye, por vetëm e ka quajtur situatë kaotike këtë rast dhe thotë se e gjithë skuadra do të shkojë para stacionit të policisë në Pejë.

Prishtina mposhti Besën 1 me 2 në Pejë, ndërsa Leci ishte ndëshkuar me të kuq.

“Situatë kaotike, Liridon Leci është arrestuar pas ndeshjes nga Policia. Policia e ka kapërcyer çdo lloj protokolli që i takon në një ndeshje futbolli. Situatë e paparë në stadiumet tona. Skuadra do të shkojë me gjithë autobusin para stacionit të policisë”, thuhet në njoftim të klubit.

Prishtina po ashtu ka dhënë një sqarim duke treguar arsyetimin për arrestimin e futbollistit.

“Liridon Leci ishte ndëshkuar me karton të kuq dhe ishte në tribuna. Në minutën e 90të lëndohet portieri Alban Muqiqi deri sa ndeshja ishte ndërpre në fushën e Besës (ishte faulluar Khalid), dhe nga lëndimi i rëndë i portierit Muqiqi (gjendet në spital) vrapon edhe Leci deri pas golit. Kurse policia duke mos e ditur asnjëe lloj kompetence tenton të largoj Lecin edhe nga tribuna meqë rast sulmohet dhe ngrehet zhag nga policia. Por, pas përfundimit të ndeshjes, Leci provon të kërkonte falje, por mllefi i policisë nuk kishte kaluar edhe e arreston e dërgon në stacion ku edhe është ne pritje skuadra. Policia nuk ka kompetenca te intervenimit, pos në raste kur ka sulm fizik ndaj gjyqtarit ose kur ka përleshje masive ndërmjet futbollistëve. Me pavetëdije të plotë profesionale, policia ka vepruar dhe vazhdon jashtë çdo ingerence të mbaj në stacionin policor futbollistin tonë”, thuhet në njoftim.

Koha.net ka kontaktuar me zyrtarë policorë që kanë thënë se tash për tash nuk kanë detaje, dhe për gjithçka do të njoftojnë zyrtarisht me kohë.