Sport

Dhurohet gjak në Ditën Ndërkombëtare të Sportit

Në Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe, në Prishtinë është organizuar dhurimi i gjakut nga të gjitha klubet sportive, OJQ-të dhe të rinjtë e kryeqytetit.

Ky organizim është bërë nga Komuna e Prishtinës së bashku me Qendrën Kombëtarë të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.

Ani pse ishte hera e parë, nga organizatorët u tha se pjesëmarrja ishte e kënaqshme dhe në orët në vazhdim sipas tyre pritet që të këtë një numër më të madh të dhuruesve të gjakut.

Fitim Rexha, drejtori për sport në Komunën e Prishtinës, ishte njëri nga dhuruesit e gjakut. Ai tha se ky organizëm po bëhet për herë të parë, por sipas tij pret që kjo traditë të vazhdojë në të ardhmen.

“Sot është 6 prilli që koincidon me këtë ngjarje. Domethënë dhurimi i gjakut ka të bëjë me sportin, me paqen, me të gjitha. Po dëshirojmë me tregu që sportistët janë njerëz të mëdhenj, nuk ndihmojnë vetëm vetën por edhe të tjerët. Me këtë dhurim të gjakut ne po i nderojmë edhe të gjithë sportistët duke u nisur nga Fadil Vokrri e të gjithë ata që kanë kontribuar sadopak në sportin e Kosovës. Jam shumë i kënaqur me pjesëmarrjen, ka grupe që po lajmërohen që janë duke ardhur dhe ka grupe që tashmë kanë ardhur. Po ashtu, jam i kënaqur me pjesëmarrjen për dhurimin e gjakut, me çka unë i falënderojë si dhuruesit sportistë ashtu edhe qytetar të vullnetit të mirë”, u shpreh Rexha.

Njëra nga dhurueset e gjakut në mesin e shumë sportistëve të Kosovës ishte edhe Drita Rudi, e cila tha se ky aksion ishte i 27-ti që ajo dhuron gjak.

Sipas saj, të gjithë qytetarët dhe sportistët duhet të vetëdijesohen dhe të marrin pjesë në këto aksione, pasi që numri i personave që ka nevojë për gjak gjithmonë po shkon duke u rritur.

“Për hir të vërtetës unë jam dhuruese e rregullt e gjakut. Është hera e 27-të që dhurojë gjak dhe është një kënaqësi që t’ju ndihmojë atyre që kanë nevojë për gjak. Natyrisht që jam marrë me sport, me hendboll, me gjuajtje, me karate, por këta të rinjtë i adhuroj që merren me sport sepse janë me shëndet të mirë. Unë shpresoj që është ende herët dhe se pjesëmarrja do të jetë shumë më e madhe”, tha Rudi.

Ndërkaq, drejtori për marketing dhe informim nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, Fadil Mahmuti, tha se ky aksion është duke u zhvilluar në mënyrën më të mirë të mundshme, falë bashkëpunimit të mirëfilltë me Komunën e Prishtinës.

“Siç po e shihni, një ekip i Qendrës Kombëtare për Transfuzion të Gjakut, sot është në mesin e sportistëve të Kosovës, ku kemi organizuar një aksion në bashkëpunim me drejtorinë për Rini dhe Sport pranë Komunës së Prishtinës, meqenëse sot është Dita Ndërkombëtare e sportistëve dhe për hir të asaj këta janë organizuar dhe këta po dhurojnë gjak në mënyrë jashtëzakonisht të mirë. Meqenëse ky është aksioni i parë që organizohet në këtë formë, shpresojë që do të jetë tradicional në këtë formë dhe në të ardhmen do të kemi aksione edhe gjatë viteve në vijim”, u shpreh Mahmuti.

Kujtojmë që 6 prilli, Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe, ka për qëllim promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetës dhe inkurajimin e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare që të përqendrohet në lejimin e qasjes në sport për sa më shumë njerëz që është e mundur.

Në këtë ditë, liderët sportiv botërorë e kombëtar, punojnë me komunitetin dhe synojnë që nëpërmjet sportit të pasurojnë jetën, në veçanti të fëmijëve.