Sport

Rrëfimi dhe rekordet e Keanit

Nuk do të duhej të ishte kështu. Moise Kean po bënte emër falë talentit të madh. Me çdo gol të shënuar, sulmuesi 19-vjeçar po bënte famë më të madhe.

Përderisa të gjithë prisnin që Kean javën e ardhshme të pushtojë ballinat me ndonjë gol eventual kundër Ajaxit në Ligën e Kampionëve, ndodhi e kundërta.

Të martën mbrëma në stadiumin “Sardegna Arena” të Cagliarit u panë skena të pakëndshme ndaj tij, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. Këto skena të tmerrshme bënë që Kean të jetë tema kryesore gjatë këtyre ditëve nëpër mbarë botën.

Arsyeja për këtë ishin brohoritjet dhe fyerjet raciste ndaj tij që i bënë tifozët e Cagliarit, ekip që pësoi 2:0 në shtëpi nga Juventusi në kuadër të Serie A. Për Keanen kjo mbrëmje ishte rraskapitëse. Ai u rrëzua disa herë nga mbrojtësit vendas si dhe u ndëshkua me karton të verdhë për shkak të simulimit. Por, tinejxheri u përmbajt dhe e ruajti qetësinë gjatë tërë ndeshjes. Ai humbi edhe disa raste, por në minutën e 85-të shënoi gol për ta vulosur rezultatin përfundimtar.

Për të festuar, Kean qëndroi i heshtur para tifozëve të Cagliarit dhe mbajti krahët hapur, sikur bënte pyetje “kë po e fyeni dhe për çfarë?”. Duke pasur parasysh abuzimin që përjetoi gjatë tërë ndeshjes, ky reagim i Keanit ishte shumë i butë. Ai nuk bëri asnjë gjest të pahijshëm ndaj atyre që e fyen, nuk dëshironte të binte në nivelin e tyre.

“Nuk jam i tillë, unë shikoj punën time, por përfundimisht ato fyerje ndaj meje ishin të tepërta. Edhe unë jam njeri sikur të gjithë të tjerët”, thotë Kean.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)