Sport

Kean i Juventusit iu kundërpërgjigj thirrjeve raciste me një gol në minutat e fundit

Descriptive Text

Sulmuesi i Juventusit, Moise Kean, ishte cak i abuzimeve raciste nga shikuesit në stadium në ndeshjen e mbrëmshme kundër Cagliarit të cilën e fituan me rezultat 2-0, por 19 vjeçari iu kundërpërgjigj këtyre abuzimeve duke shënuar një gol në minutat e fundit të ndeshjes.

Përfaqësuesi i Italisë u abuzua tërë natën nga tribunat e fansave vendës, duke lëshuar tinguj majmunësh që i drejtoheshin atij, por ai pati fjalën e fundit duke shënuar golin e dytë për Juven 5 minuta pa përfunduar ndeshja.

Adoleshenti u ndalua tek shtylla e portës, dhe i hapi krahët si kundërpërgjigje ndaj thirrjeve raciste, raporton “SkySports”.

Lojtarët e Juventusit, në krye me kapitenin Giorgio Chiellini, i ishin ankuar referit Piero Giacomelli, i cili po bisedonte me të dy menaxherët, transmeton Koha.net.

Kapiteni i Cagliarit, Luca Ceppitelli, iu drejtua fansave që ishin prapa portës, duke kërkuar nga ta që t’i ndërprerin thirrjet raciste, ndërsa mesfushori francez Blaise Matuidi u pa t’ia bënte me shenja menaxherit Massimiliano Allegri se duhet t’i largojë nga fusha lojtarët e tij.

E kur loja vazhdoi, një njoftim erdhi për publikun në lidhje me çështjen, i cili u prit me më shumë thirrje nga fansat vendës para se të vinte vërshëllima e fundit pas pesë minutash loje shtesë.

Leonardo Bonucci tha pas ndeshjes se bashkëlojtari i tij duhet të bartë një pjesë të fajit për shkak të festimit të tij. “Kishte thirrje raciste pas golit, Blaise i dëgjoi dhe u zemërua. Mendoj se faji është 50-50, sepse Moise nuk është dashur të festonte në atë mënyrë dhe fansat nuk është dashur të reagojnë në atë mënyrë”.

“Ne jemi profesionistë, duhet të jemi shembull e jo të provokojmë”, ka thënë mbrojtësi.

Incidenti erdhi tetë ditë pasi lojtarët anglezë ishin cak i abuzimeve raciste në Mal të Zi në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020 dhe në ditën kur presidentin i UEFA-s, Aleksander Ceferin, insistoi që referëve duhet thënë të jenë “të guximshëm” dhe të ndërpresin ndeshjen nëse hasin në abuzime të tilla nga “njerëz të zhurmshëm, agresivë e primitivë”.