Sport

Ahmeti: Qeveria s’ka bërë pranimin teknik për “Fadil Vokrrin”, kundër që aty të luhet Gjilani-Drita

Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se Qeveria ende nuk e ka bërë pranimin teknik për stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa është kundër që aty të luhet sfida ndërmjet Gjilanit dhe Dritës.

Kundër kësaj sfide ditë më parë kanë dalë edhe tifogrupi i Prishtinës “Plisat”.

FFK-ja kishte vendosur që derbi i të dielës së 7 prillit të zhvillohet nën ndriçimin e reflektorëve në Prishtinë, transmeton Koha.net.

Zhvendosja e derbit në Prishtinë përplas “Intelektualët” me “Skifterat”

“Stadiumi i Prishtinës është pronë e Komunës së Prishtinës. Që nga renovimi qeveria nuk e ka bërë pranimin teknik dhe si pasojë objekti i renovuar nuk është dorëzuar te Komuna. Objekti ka filluar të ketë probleme ende pa u bërë pranimi. Për shkak të rëndësisë së ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës nuk kemi deklaruar asgjë në lidhje me këtë”, ka shkruar Ahmeti në një postim në Facebook.

Ai ka shtuar se tashmë dikush ka vendosur të lëshojë edhe lokale pa u konsultuar fare me Komunën, e këtë s’ka të drejtë ta bëjë as Qeveria e as FFK-ja.

“Por tani, dikush ka filluar të ndajë lokale e zyre e Federata ka vendosur që të luhen edhe ndeshjet tjera kampionale si Drita - Gjilani pa u konsultuar fare me Komunën. Stadiumi nuk është as i Qeverisë e as i Federatës. I takon qytetarëve të Prishtinës. Ne kemi nderin që aty të luajnë Kosova drejt kualifikimit për kampionat e Prishtina lojërat kampionale, por askush nuk ka të drejtë as të ndajë lokale e as të vendos ndeshje të tjera”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka kërkuar nga Ministria që të bëhet të bëhet dorëzimi i stadiumit sipas marrëveshjes.

“Kërkojmë nga ministria që sa më parë ta dorëzojë stadiumin sipas marrëveshjes dhe po ashtu që çdo vendim për lokale e lojë të bëhet me bazë ligjore, sepse përndryshe jemi të detyruar t’i lirojmë hapësirat me ligjet në fuqi. Ne kemi mirëkuptim, por çdo gjë duhet të bëhet me ligj dhe në përputhje me interesin publik”, ka shkruar kryetari i komunës së Prishtinës.