Sport

Duka takon ish-trajnerin e Kukësit, kur stoli i Kombëtares ende është bosh

Kanë kaluar disa ditë nga largimi i Christian Panuccit nga stoli i Kombëtares dhe ende sot Shqipëria nuk ka një trajner të ri.

Gjatë këtyre ditëve janë lakuar disa emra si kandidatë potencialë që të marrë në dorë “timonin” e përfaqësues kuqezi, kryesisht me teknikë përtej Adriatikut, por edhe pse të gjitha pistat mbeten të hapura, kuqezinjtë aktualisht janë pa një trajner.

Një nga kandidatët potencialë për t’iu besuar stoli i Kombëtares është edhe ai Peter Pakult, i cili më parë pati drejtuar ish-kampionët e Kukësit në futbollin shqiptar.

Austriaku ka pasur një takim me vetë Dukën, për më tepër nga kërkesat që vetë kreu i Federatës ka për trajnerin e Kombëtares, duket se Pakult i plotëson kriteret.

Nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë vetë trajneri, i cili mund të jetë ofruar për të marrë drejtimin e Kombëtares sonë.

Sipas “Panorama Sport”, në mbrëmjen e 22 marsit në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Pakult ka qenë në stadium për të parë nga afër ndeshjen midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe ka pasur një bisedë me kreun e Federatës, Armand Duka.

Ndonëse temat e diskutimit nuk bëhen të ditura, mësohet se janë në vazhdën e bisedimeve që Duka ka pasur me disa trajnerë për të marrë stolin e lënë bosh nga Panucci.