Sport

Warriors mposhti Hornetsin me 47 pikë diferencë

Kampionët e NBA janë shumë afër të sigurojnë vendin e parë në Konferencën e Perëndimit.

Një paraqitje sensacionale e Golden State Warriors që tregojnë se janë në formë të lartë pak javë para fillimit të play offit.

Warriors mposhtën me plot 47 pikë diferencë, skuadrën e Charlotte Hornets, me rezultatin që figuron në fund 137-90.

Treshja Steph Curry (25 pikë), Klay Thompson (24 pikë) dhe Quinn Cook (21 pikë) dominoi që në fillim të sfidës, ndërsa në radhët e Hornets i vetmi që u mundua të bënte dallimin ishte Guillermo Hernangomez, që e mbylli takimin me 22 pikë të shënuara.

Humbje në minutat e fundit për Denver Nuggets 90-95 ndaj Washington Wizards, edhe pse skuadra nga Colorado e udhëhoqi takimin thuajse në tre çerekët e parë. Troy Brown me 24 pikë dhe paraqitja nga Jabari Parker 20 pikë dhe Thomas Bryant 20 pikë e 14 kërcime u dhuruan fitoren e papritur skuadrës mysafire.

Shkëlqen Los Angeles Clippers duke triumfuar 113-96 ndaj Memphis Griezzlies. Spikati veçanërisht Danillo Gallinari me 27 pikë e 14 kërcime për ekipin kalifornian.

San Antonio Spurs dështuan 106-113 përballë Sacramento Kings, me Buddy Hield që rezultoi më i miri për Kings me 26 pikë, por kjo fitore vlen vetëm për statistikë, pasi Sacramento është matematikisht jashtë play off-it.

Ndërkohë edhe Oklahoma City Thunder pësoi një humbje befasuese, 103-106 ndaj Dallas Mavericks.

Nuk mjaftuan 27 pikët dhe 11 kërcimet e Paul Geroge, apo triple-double i Russell Westbrook 25 pikë, 11 asistime e 11 kërcime, pasi Mavericks ishin ata që iu gëzuan fitores në fund./KosovaPress