Sport

Hamilton shënon një fitore me fat

Foto: Reuters

Kampioni i pesëfishtë i Formula 1, Lewis Hamilton, ka marrë një fitore me fat të dielën në Shpërblimin e Madh të Bahrejnit. Piloti i Mercedesit arriti deri te fitorja vetëm pasi që Charles Leclerc i Ferrarit hasi në probleme në motor në fazën përfundimtare të garës.

Leclerc, 21-vjeçar, që nisi nga pozita e parë startuese dhe përfundoi i treti, ishte pranë që të bëhej fituesi më i ri i një gare me Ferrarin, duke triumfuar në vetëm garën e dytë të tij me skuaderinë, por vetura e tij humbi fuqinë, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Hamilton dhe piloti tjetër i Mercedesit, Valtteri Bottas, iu afruan atij dhe e tejkaluan, për të arritur një triumf të dyfishtë të Mercedesit në garën e dytë rresht.

“Ishte shumë pafat për Charlesin”, ka thënë Hamilton, ndërsa kaloi vijën e finishit prapa veturës së sigurisë, që ishte futur pasi Renaulti i Daniel Ricciardos mbeti në shteg. “Ai pati një garë aq të madhe. Ne duhet të punojmë për të mbajtur ritmin me ta”.

Problemet e Leclercut i vunë kapakun një dite të vështirë për Ferrarin, që kishte zënë dy vendet e para në kualifikime.

Gjermani Sebastian Vettel, që përfundoi i pesti, humbi kontrollin e bolidit dhe u rrotullua derisa po mbronte vendin e dytë nga Hamiltoni.

Ngushëllimi i vetëm për Leclercun, që ka zënë vend në podium për herë të parë në karrierën në F1, është një pikë shtesë që mori për regjistrimin e rrethit më të shpejt në garë.

“Është e vështirë për të kapërdirë. Është mëkat që përfundova vetëm i treti, por është pjesë e garave dhe do të kthehemi më të fortë”, ka thënë Leclerc që është nga Monako.

Fitorja e Hamiltonit është e 74-ta në karrierë dhe e para këtë stinor. Hamilton është 17 fitore larg rekordit të përgjithshëm që e mban Michael Schumacher me 91 fitore.

Britaniku pas dy garave zë vendin e dytë në renditje, është vetëm një pikë larg liderit, finlandezit Bottas, që në garën e parë në Australi pos fitores mori edhe një pikë shtesë për rrethin më të shpejt.

Pozita e katërt në garën e të dielës në Bahrejn i takoi holandezit të Red Bullit, Max Verstappen, që doli para Vettelit.

Britaniku Lando Norris përfundoi në vend të gjashtë me McLarenin, ndërsa Kimi Raikkoneni i Alfa Romeos doli i shtati.

Gara e ardhshme e Formula 1 është ajo e Shpërblimit të Madh të Kinës më 14 prill.