Sport

Coutinho mendon rikthimin te ish-skuadra

Kur mbushi 18 vjeç, braziliani Philippe Coutinho kaloi oqeanin dhe u transferua në Serinë A, për të luajtur me Interin e Rafa Benitezit, skuadra e tij e parë në “kontinentin e vjetër”.

Aventura e tij me fanellën zikaltër nuk ishte ndër më të mirat dhe shpejt lojtari u largua tek Espanyol e më pas te Liverpool, ku dhe shkëlqeu.

Më pas erdhi transferimi te Barcelona dhe sërish nisi kriza, aq sa pas 18 muajsh ekipi “blaugrana” është gati ta shesë lojtarin, transmeton telesport. Edhe pse janë përmendur shumë alternativa për të ardhmen e Coutinho, duket se vetë braziliani ka një ide.

Përmes një deklarate për media, pas fitores që Brazili arriti në miqësore ndaj Republikës Çeke, Coutinho jep një sinjal të qartë.

“Inter? Një skuadër ku kam luajtur dhe kam kujtime shumë të mira. Aty kam ende shumë miq, një vend i shkëlqyer. Të luaj sërish aty? Nuk e di, unë jam një lojtar i Barcelonës, kam një kontratë aty”, u shpreh Coutinho.