Sport

Duka nuk përjashton mundësinë që një trajner shqiptar ta marrë drejtimin e Shqipërisë

Kombëtares së Shqipërisë i duhet një trajner dhe presidenti i Federatës së Shqipërisë, Armand Duka, ka nisur një proces që e njeh shumë mirë, por në të cilin nuk është asnjëherë i sigurt.

Emrat e bërë publikë janë të shumtë, veçse është tepër e vështirë të thuhet se janë kandidatë konkretë apo manovra të vetë trajnerëve e menaxherëve të tyre.

Edi Reja, që ishte në “Loro Boriçi”, Luixhi De Kanio, që ka qenë edhe më parë pretendent për stolin kuqezi, si dhe Roberto Donadoni, ish-trajneri i Italisë dhe i disa skuadrave të tjera në Serinë A.

Në skenë ka dalë, ndoshta si i vetëofruar Safet Sushiq, ish-trajner i Bosnjë-Hercegovinës, veçse edhe për këtë nuk ka asnjë siguri lidhur me lajmet, transmeton opinion.al.

Burime në Federatë pohojnë se është e pamundur të mësohet gjë, pasi gjithçka është në dorë të Dukës, por gjithsesi theksojnë se kërkimi për trajner do të nisë seriozisht nga e hëna e ardhshme.

Kandidatë janë edhe Besnik Hasi, Arjan Peço, por edhe Ervin Bulku, i cili e drejtoi ekipin në fitoren e parë të kualifikueseve të Euro 2020.

“Nuk mund ta mohoj se kam biseduar me trajnerë shqiptarë dhe të huajë dhe gjatë këtyre ditëve do të konkretizojmë ndonjë gjë më shumë. Edy Reya është një trajner shumë i mirë, sikurse janë edhe disa të tjerë, por nuk kam bërë asnjë bisedë konkrete. Nuk duhet të nxitohemi. Kemi një lloj kohe për të vendosur dhe nuk kemi pse të nxitohemi për ndeshjet e qershorit”, ka thënë Duka.

Duka nuk ka përjashtuar mundësinë të jetë në stol edhe një trajner shqiptar.

“Ajo që i jep me shumë avantazh një kandidati shqiptar është fakti që mund ta njohë më mirë mentalitetin dhe mënyra e komunikimit dhe ambientin. Nuk besoj se ka teknikë të përgatitur, le të themi në nivelin teknik me eksperiencë të futbollit internacional, mjaftueshëm në Shqipëri. Por duke pasur parasysh, kur themi trajner shqiptar që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, ekzistojnë mundësitë, pse jo”, është shprehur Duka.