Sport

Vdes legjenda e futbollit shqiptar

Futbolli shqiptar është në zi, pasi është mësuar pak më parë se ish futbollisti i njohur i Tiranës dhe Kombëtares Shqiptare, Ali Mema është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Ali Mema vjen nga dinastia Mema, një familje që ka nxjerrë disa futbollistë, duke filluar nga vëllezërit e Aliut, Osmani dhe Haxhiu, për të vijuar me nipin Sulejman Mema dhe djalin e tij, Ardian Mema, i cili aktualisht është trajner i Tiranës.

Ali Mema do të mbetet në memorien e sportdashësve shqiptar si një nga mesfushorët më të shkëlqyer të brezit të Tiranës së viteve 60-70, teknik dhe shumë virtuoz, duke u cilësuar si një nga më të mëdhenjtë e brezit të tij. Të shkëlqyera kanë qenë dhe paraqitjet e tij me ekipin kombëtar ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Për shumë vite me radhë Mema ju dedikua trajningut duke qenë në krahun e ish trajnerit të Tiranës Enver Shehu, transmeton TCH.

“Të dashur miq të familjes së madhe të futbollit, me hidhërim kam mësuar lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Ali Memës, një ish-mesfushor i shkëlqyer i Tiranës dhe ekipit kombëtar, drejtues futbolli dhe mik i mirë. Në këtë moment hidhërimi për futbollin shqiptar dua ti shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. Ai ishte një ikonë e futbollit shqiptar dhe një nga më të ndriturit e familjes simbol të futbollit të Tiranës, dhe si i tillë do të kujtohet gjithmonë nga komuniteti futbollit”, ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka, sapo ka mësuar lajmin e dhimbshëm.

Homazhet në nderim të Ali Memës do të zhvillohen nesër, datë 27 mars 2019, nga ora 10:00-12:00 në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”.