Sport

Shumë politikë në miqësoren Venezuelë - Katalonjë

Do të ketë shumë fjalë për politikë kur Venezuela të përballet me skuadrën e Katalonjës në një miqësore në futboll, në Spanjë, të hënën.

Venezuela ka një seleksionues që ka ofruar dorëheqjen për shkak të përdorimit politik të përfaqësueses së tij, ndërsa Katalonja - regjioni në mes të një grindjeje me Spanjën për pavarësinë - do të jetë në mungesë të disa lojtarëve pasi disa skuadra jokatalonjase nuk i lëshuan ata, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.

Venezuela vjen pas fitores bindëse 3:1 në miqësore të premten ndaj Argjentinës së Lionel Messit, por ajo që mori më tepër vëmendje pas miqësores ishte deklarata e seleksionuesit Rafael Dudamel.

Ai ofroi dorëheqje pasi nuk ishte i lumtur me politizimin e një vizite para ndeshjes nga një përfaqësues i Juan Guaidos, njeriu që po sfidon pozitën e Nicolas Maduros si president i Venezuelës.

Dudamel dhe pjesa tjetër e skuadrës e mirëpritën vizitën, por seleksionuesi nuk pëlqeu imazhet që dolën në publik më vonë.

“Fatkeqësisht ata e politizuan vizitën. Marrëveshja ishte se nëse ka një imazh apo video, atëherë duhet të përdoret vetëm për brenda. Por ata e politizuan vizitën dhe nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Ishte për të ardhur keq se si u përdor”, tha Dudamel.

Venezuelasit janë në mes të një lufte për fuqi, pasi rizgjedhja e Maduros vitin e kaluar është vlerësuar ilegale nga disa qeveri botërore.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)