Sport

Kombëtarja vazhdon të dëshpërojë, thyhet nga Turqia

Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka bërë ecjen e synuar dhe ka thelluar edhe më shumë krizën që nuk po i ndahet prej kohësh. “Kuqezinjtë” kanë shfaqur fare pak në fushën e lojës, ndërsa kanë pësuar 2:0 nga Turqia.

Ndeshja Shqipëri - Turqi u luajt të premten mbrëma në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Ishte kjo ndeshja e parë për të dyja ekipet përfaqësuese në eliminatoret për “Euro 2020”. Dhe Shqipëria pas një kohe të gjatë ka nisur cikël eliminator me disfatë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për më tepër nuk ka dhënë shenja se gjërat po shkojnë në rrugën e duhur, pas situatës së pafavorshme të krijuar sidomos vitin e kaluar. Gjatë tërë ndeshjes lojtarët e kombëtares nuk kanë krijuar thuajse asnjë rast ideal për gol. Ndërkohë që kanë vazhduar me gabime që u kanë kushtuar me gola të pranuar.

Shqipëria bën pjesë në Grupin H dhe menjëherë ka mbetur prapa me përfaqësueset e forta të grupit. Po të premten Islanda fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Andorrës, ndërsa kampionia e botës, Franca fitoi 4:1 ndaj Moldavisë në Chisinau.

Burak Yilmaz dhe Hakan Çalhanoglu shënuan golat për fitoren 2:0 të Turqisë, fitore që nuk u rrezikua asnjëherë nga të përzgjedhurit e Christian Panuccit. Edhe Turqia nuk ka shfaqur shumë, por ka konkretizuar mundësitë që kishte dhe fitoi tri pikët.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)