Sport

Danimarkës i del e vështirë “stërvitja” me Kosovën

Edhe pse trajneri i Danimarkës e konsideroi të lehtë përballjen me Kosovën duke e cilësuar si “ndeshje stërvitore”, ajo nuk doli të jetë e tillë. Kosova dhe ekipi që është i dhjeti në listën e FIFA-s barazuan 2 me 2 në miqësoren e zhvilluar të enjten në “Fadil Vokrri”.

Amir Rrahmani kaloi “Dardanët” në epërsi në minutën e 42-të. Ai shënoi me kokë pas harkimit nga Besar Halimi.

Rezultati u barazua nga Christian Eriksen në minutën e 63-të. Ylli i Tottenhamit shënoi nga penaltia.

Ky rezultat qëndroi për vetëm tre minuta. Bersant Celina kaloi Kosovën në epërsi pas asistimit nga Arbër Zeneli.

Kur pritej që Kosova të fitonte këtë përballje, në minutën e parë të shtesës përmes Hojbjergut Danimarka arriti të shënonte për 2 me 2 dhe rezultatin përfundimtar.


’91 – GOL. Danimarka ka barazuar rezultatin në 2 me 2 me Hobjergun.

’90 – Pesë minuta shtesë.

’89 – Një tifoz futet në fushë duke ndërprerë ndeshjen për disa sekonda.

’80 – Danimarka shton presionin teksa kanë mbetur edhe dhjetë minuta deri në fund të ndeshjes.

’71 - Idriz Voca zëvendëson Celinën, teksa Bernard Berisha hyn në vend të Arbër Zenelit.

’66 – GOL. Bersant Celina ka kthyer epërsinë te Kosova. Ai shënoi nga afër për 2 me 1, pas një pasimi nga  Zeneli.

'63 - GOL. Danimarka ka barazuar rezultatin përmes Christian Eriksen. Ai mposhti Samir Ujkanin nga penaltia.

'62 - Penalti për danezët. 

’60 – Te Danimarka hyn superylli Christian Eriksen. Ai ka zëvendësuar Leragerin. Kjaer ka zëvendësuar Christensenin.

’55 – Kanë kaluar dhjetë minutat e parë të pjesës së dytë. Asnjëra skuadër nuk ka rrezikuar deri tash në pjesën e dytë.

’46 – Edon Zhegrova është inkuadruar në vend të Milot Rashicës. Edhe Samir Ujkani ka hyrë në fushë duke zëvendësuar Arijanet Muriqin. Te danezët Larsen ka zëvendësuar Dalsgaardin.

Nis pjesa e dytë e ndeshjes.

Ka përfunduar pjesa e parë e miqësores Kosovë – Danimarkë. Kosova është në epërsi falë golit të Amir Rrahmanit të realizuar në minutën e 42-të.

Dy ekipet patën rate të ira për gol, me Danimarkën që pati më shumë posedimin e topit. Kosova rrezikoi disa herë përmes kundërsulmeve.

’42 – GOL. Kosova ka kaluar në epërsi. Amir Rrahmani ka shënuar me kokë pas harkimit të Besar Halimit.

’29 - Vedat Muriqi ka lëshuar rastin më të mirë deri tash për Kosovën. Ai gjuajti nga vija e 16-metërshit, teksa goditja e tij përfundoi fare pranë portës së Schmeichelit.

’20 - Në minutën e 20-të Kosova ka lëshuar një rast të mirë për gol. Ishte sulmuesi Vedat Muriqi që nuk arriti të pasonte saktë te Berasnt Celina në afërsi të zonës së danezëve.

’10 – dhjetëminutëshi i parë solli ndeshje të barabartë me Kosovën që mbante në presion mysafirët.

'7 – Kosova po mban në presion Danimarkën. Goditjen e parë në drejtim të mysafirëve e dha Arbër Zeneli, por gjuajtja nga krahu i majtë u prit nga portieri danez.

‘2 Kosovës i takon rivënia e parë në ndeshje.

Ka nisur në “Fadil Vokrri” në Prishtinë miqësorja mes Kosovës dhe Danimarkës.