Sport

Chelsea raporton Dynamo Kievin tek UEFA

Chelsea ka raportuar Dynamo Kievin tek UEFA, pasi një nga lojtarët e saj ishte fyer në baza raciste nga tifozët vendas gjatë ndeshjes së kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Evropës të enjten e kaluar në Kiev.

Lajmin e ka bërë të ditur klubi londinez në faqen zyrtare.

Chelsea nuk ka bërë të ditur emrin e lojtarit, mirëpo Sky Sports ka raportuar se sulmuesi anësor Callum Hudson-Odoi 18-vjeçar ishte shënjestruar nga një grup i tifozëve të Kievit gjatë fitores 5:0 të Chelseat.

Hudson-Odoi kishte informuar bashkëlojtarin Cesar Azpilicueta, i cili më pas u ankua te referi në fund të ndeshjes.

"Ne mund të konfirmojmë se kemi raportuar për fyerje raciste ndaj njërit prej lojtarëve tanë në minutat e fundit të ndeshjes në Kiev, nga një grup i vogël i tifozëve të Dynamo Kievit", është thënë në një komunikatë të Chelseat të hënën.