Sport

Futbollistet kolumbiane po luftojnë për barazi

Foto: AP

Në një mbrëmje të ditëve të fundit Sara Pulecio po driblonte një top futbolli me hijeshi teksa po kalonte nëpërmjet disa koneve të portokallta dhe kërcente vazhdimisht mbi pengesat e vogla që i kishin vendosur trajnerët nëpër fushë për të zhvilluar forcën në këmbët e saj.

Kampi i futbollit i dha Pulecios dhe disa lojtareve tjera profesioniste një mundësi të rrallë për të stërvitur në një pushim të gjatë mes stinorëve. Dhe ndonëse ishin stërvitje të rënda, mesfushorja 20-vjeçare i përfundoi ato me buzëqeshje në fytyrë.

“Ne mundohemi t'i bëjmë gjërat në kohën tonë të lirë, të mbahemi në formë”, thotë ajo. “Por, nuk është e njëjtë si kur stërvitesh me skuadrën tënde”.

Pulecio ka përfaqësuar Kolumbinë në pesë turne ndërkombëtarë dhe vitin e kaluar ajo ishte një nga yjtë e ligës profesioniste lokale të futbollit të femrave, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.

Mirëpo mesfushorja ka stërvitur shumë pak që nga stinori i kaluar që përfundoi në maj dhe mund të mbetet tërësisht pa punë, pasi zyrtarët e futbollit në Kolumbi po synojnë të anulojnë ligën lokale të femrave për shkak të performancës së dobët ekonomike.

Lajmi që liga profesioniste e sapokrijuar mund të anulohet, ka përmbledhur një muaj turbulent për futbollin e femrave në Kolumbi. Këtë muaj po ashtu janë bërë akuza për ngacmim seksual ndaj dy trajnerëve dhe janë bërë akuza edhe për kushte të dobëta të punës për futbollistet e përfaqësueses së Kolumbisë.

Lojtaret tash po bëjnë një tentim të fundit për të shpëtuar ligën e femrave, ndërsa po shtyjnë edhe për kushte më të mira për përfaqësuese, në një luftë që pasqyron atë në SHBA për barazi të futbollisteve.

“Është shumë e vështirë që ëndrrat tua dhe aspiratat thjesht të fshihen”, ka thënë Pulecio, ndërsa u ka bërë thirrje zyrtarëve të federatës që të dalin me një zgjidhje për të shpëtuar ligën e femrave. “Anulimi i ligës do të shkatërrojë shpresat e vajzave të reja”.

Ankesat për menaxhimin e futbollit të femrave në Kolumbi nisën muajin e kaluar, ku dy reprezantuese me përvojë publikuan në Twitter praktikat diskriminuese.

Isabella Echeverri dhe Melissa Ortiz thonë se në dy vjetët e fundit reprezantueseve të Kolumbisë nuk u janë dhënë pagesat që zakonisht marrin reprezentuesit kur stërvitin me përfaqësuese.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)