Sport

Bekteshit i mungon trofeu që skuadra e tij nuk e ka fituar moti

Erdhi pa shumë bujë, por Leotrim Bekteshi po dëshmohet gradualisht si njëri prej mbrojtësve kryesorë te skuadra e Prishtinës.

Bekteshi që luan në rolin e qendërmbrojtësit, te Prishtina u transferua para fillimit të këtij nga Gjilani së bashku me Armend Thaqin, duke firmosur kontrata dyvjeçare, shkruan sot “Koha Ditore”. Bekteshi e ka stabilizuar veten te bardhekaltrit dhe deri më tash ka 20 paraqitje dhe një gol të shënuar, të cilin e realizoi në derbin e fundit kundër Feronikelit (1:1).

26-vjeçari pranon se ka pritur një adaptim të shpejtë te Prishtina, duke u bazuar në mikpritjen e mirë që ka hasur prej stërvitjes së parë. Thotë se në momentin që ka marrë ofertë nga Prishtina nuk e ka kthyer kokën prapa.

“Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe kur të ofrohet mundësia për të qenë pjesë e saj, atëherë është vështirë ta refuzosh. Pasi gjithmonë lufton për trofe. Jam ambientuar shumë mirë me grupin, më kanë pritur mirë”, është shprehur Bekteshi, i cili mund të luajë edhe si mbrojtës i krahut të djathtë.

Mbrojtësi 184 centimetra i gjatë nuk e ka pasur fatin të luajë në ndeshjet e Prishtinës këtë edicion në Ligën e Evropës. Mirëpo, është optimist se një gjë të tillë do ta bëjë edicionin e ardhshëm, meqë beson se Prishtina do të shpallet kampione.

Aktualisht, Prishtina është e dyta në renditje me 47 pikë, pesë më pak se Feronikeli dhe mundësia e vetme që bardhekaltrit të luajnë në Evropë është titulli i kampionit.

Në dy edicionet e fundit Prishtina është paraqitur në Ligën e Evropës kurse edicionin e ardhshëm po synon që të luajë në nivelin më të lartë, në Ligën e Kampionëve. Raundi parakualifikues i kësaj gare për edicionin e ardhshëm do të mbahet në Kosovë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)