Sport

Milani pret t’i japë fund dominimit të Interit në “Madonnina”

Nëse Milani dëshiron t'i japë fund dominimit të kohëve të fundit të Interit në derbin "Madonnina", atëherë vështirë se do të ketë një rast më të mirë për të bërë këtë, sesa të dielën.

Dy skuadrat po luftojnë për t'u kualifikuar për Ligën e Kampionëve stinorin e ardhshëm, por derisa Milani ka gjetur formën në kohën e duhur, Interi ka nisur të lëkundet, raporton Koha Ditore.

Milani ka fituar vetëm tri nga 16 derbit që nga fillimi i vitit 2012 dhe nuk e ka mposhtur Interin në Serie A në tre vjetët e fundit.

Duke marrë shtytje nga transferimi i Krzysztof Piatekut dhe Lucas Paquetas në janar, Milani ka fituar pesë ndeshjet e fundit në Serie A, duke pranuar vetëm dy gola gjatë kësaj serie.

Milani ka pasur një javë të plotë të përgatitet për ndeshje, falë eliminimit të mëhershëm nga garat evropiane, ndërsa Interi të enjten mbrëma luajti në shtëpi në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Evropës, ku pësoi 1:0 dhe u eliminua nga Eintracht Frankfurti.