Milan - Interi, “derbi i Madonninës” Foto: Reuters

Milan - Interi, “derbi i Madonninës”

15 March 2019 21:02

“Derby della Madonnina”, nuk është vetëm derbi, por edhe gara për vendin e tretë, me Milanin që ka një pikë para rivalit të përhershëm Interit.

Ky derbi parashikohet të jetë një nga kujtimet më të mëdha të kohëve të fundit, pasi është duel kokë më kokë për një vend në Ligën e Kampionëve, me Romën e ringjallur të Claudio Ranierit, që po qëndron prapa tyre.

“Kuqezinjtë” kanë pasur formë fantastike, ku në 10 ndeshjet e fundit nuk dinë për humbje, duke shënuar shtatë fitore.

Të udhëhequr nga sulmuesi polak, Krzysztof Piatek (PJONTEK), që në shtatë ndeshje ka shënuar gjashtë gola, ka ngritur Milanin në pozitën e tretë në Serie A.

Për dallim nga Milani, në një situatë aspak të mirë është duke kaluar Interi.

Përveç formës së dobët në Serie A, të udhëhequrit e Luciano Spalletit u eliminuan edhe nga Liga e Evropës.

Madje, në dyshim për këtë takim mbetet edhe Mauro Icardi, që nuk është grumbulluar nga trajneri Spalleti, pas problemeve të fundit.

Në ndeshjen e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave fitues doli Interi, me golin e Icardit, që nuk dihet nëse do të luajë në derbi.

Kjo ndeshje mund të jetë e fundit edhe për trajnerin Spalleti, transmeton “Sporti në KTV”. Ky i fundit, në rast të dështimit edhe në derbi, pritet të shkarkohet nga krerët e klubit “zikaltër” që janë të pakënaqur me punën e italianit.

Për këtë ndeshje, trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso, nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Bonaventuras dhe Zapatas, përderisa tek Interi do të mungojnë Miranda dhe Nainngolan.

Lideri i Serisë A, Juventusi, do të jetë mysafir i Genoas. Pas fitores spektakulare ndaj Atletico Madridit, trajneri Maxi Allegri kërkon fitoren e radhës në kampionat.

“Zonja e Vjetër”, që ende nuk ka pësuar humbje në Serie A, synon fitoren e 25-të këtë edicion në kampionat.

Edhe Napoli do të kërkojë vazhdimësinë pas kualifikimit në Ligën e Evropës.

Napolitanët synojnë fitore në shtëpi ndaj Udineses, që këtë vit po lufton për mbijetesë.

Roma e ringjallur me Claudio Ranierin, synon fitoren e dytë radhazi për ta mbajtur hapin për një pozitë që dërgon në Champions. Romakët llogariten favorit në udhëtim përballë Spalit.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme