Sport

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës vlerësohet ndër më të mirët në Dinamo të Zagrebit

Foto: Reuters

Mbrojtësi i Dinamo Zagrebit, Amir Rrahmani, është ndarë i kënaqur me paraqitjen e së enjtes mbrëma ndaj Benficas, ndonëse pësuan disfatë dhe u eliminuan nga Liga e Evropës.

Por, Rrahamani insiston se Dinamo Zagreb nuk pati fat në ndeshjen ndaj Benficas, raporton KTV.

“Bëmë më të mirën. Mund të them se të gjithë kemi dhënë 120 për qind. Detyra ime ishte në defensivë dhe mendoj se e kam mbuluar mirë. Benfica ka një ekip të shkëlqyer, ata kanë lojtarë me vlera milionëshe, por na mungoi fati. Kemi pasur rast ta ngushtojmë epërsinë në 2:1, por ky është futbolli. Kur nuk shënon, pëson”, ka thënë Rrahmani për “Arena Sport-in”.

25-vjeçari është ndër lojtarët kyçë në mbrojtjen e gjigantit kroat. Ai, në 19 ndeshje të këtij edicioni, ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me një asistim.