Skitarja amerikane Shiffrin e pandalshme, siguron titullin edhe në Super-G

Skitarja amerikane Shiffrin e pandalshme, siguron titullin edhe në Super-G

14 March 2019 20:40

Në një stinor të rekordeve, skitarja amerikane Mikaela Shiffrin ka fituar edhe titullin e Super-G në Kupën e Botës, duke ia shtuar titullit të përgjithshëm dhe atij në sllallom.

Shiffrin, që ka mbushur 24 vjet të mërkurën, ka fituar titullin në Super-G në finalet e Kupës së Botës, garë që po mbahet në Soldeu të Andorrës, duke çimentuar statusin e saj në rritje si një nga më të mëdhatë e këtij sporti, raporton CNN, përcjell Koha Ditore.

Ajo në garën e fundit të stinorit në Super-G përfundoi e katërta me 0.44 sekonda disavantazh ndaj gjermanes Viktoria Rebenbsurg që fitoi garën. Por kjo mjaftoi për të siguruar titullin e stinorit në Super-G.

Shiffrin, po ashtu, është favorite të fitojë edhe titullin në sllallom të madh të dielën në Andorrë, pasi ka epërsi prej 97 pikëve ndaj rivales më të afërt, sllovakes Petra Vlhova.

Një skitare që tradicionalisht është më e mirë në disiplinat teknike, Shiffrin mund të bëhet skitarja e parë që ka fituar titujt në Kupën e Botës në konkurrencë të përgjithshme, në sllallom, sllallom të madh dhe Super-G në një stinor.

"Është një ditë e mirë për mua", ka thënë Shiffrin.

Ajo kurrë nuk ka fituar më herët një titull të Kupës së Botës në Super-G, por tri fitoret e shënuara në këtë disiplinë këtë stinor dhe po ashtu garat e anuluara për shkak të motit të keq, i ofruan rastin për të fituar titullin në Soldeu.

"Unë kam ëndërruar që një ditë ndoshta do të jem në gjendje të fitoj globin në Super-G, por nuk po e prisja të ndodhte këtë stinor. Mënyra se si kam skijuar në Super-G këtë stinor, nuk e kam ditur nëse do të mjaftoj për të siguruar titullin. Por e dija se duhet të jem agresive dhe mjaftoi kjo", ka thënë Shiffrin. "Duhet të falënderoj të gjithë, gjithë trajnerët e shpejtësisë që erdhën të më ndihmonin për të bërë këtë të mundur. Mënyra se si të gjithë janë bërë bashkë për të bërë që kjo të funksionojë, është e jashtëzakonshme dhe të gjithë jemi shumë krenarë".

Shiffrin së fundi vendosi rekord të ri me 15 fitore në Kupën e Botës këtë stinor, për të kaluar një rekord që e ndante me skitaren legjendare zvicerane Vreni Schneider.

Performanca e saj fenomenale këtë stinor e ka dërguar në 58 fitore në Kupën e Botës në përgjithësi, e pesta në histori për fitore, ndërsa tash ka siguruar tre tituj të përgjithshëm të Kupës së Botës dhe gjashtë të sllallomit në shtatë vitet e fundit dhe katër rresht.

Në konkurrencën e meshkujve, italiani Dominim Paris ka triumfuar në Super-G në Andorrë për të fituar titullin në këtë disiplinë.

Paris fitoi titullin e botës në Super-G në Suedi muajin e kaluar dhe ka shënuar tri fitore në këtë disiplinë në Kupën e Botës këtë stinor duke fituar titullin para Vincent Kreichmayrit të Austrisë dhe Mauro Caviezelit të Zvicrës.

Është titulli i parë në Kupën e Botës për Parisin.

"Është ëndërr e realizuar. Kam punuar shumë dhe gjithmonë kam shtyrë veten drejt limiteve", ka thënë Paris.

Parisit i duhej të përfundonte në Top 15 në garën e fundit të enjten për të siguruar titullin, por ai ngadhënjeu dhe siguroi titullin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme