Sport

Reali kontakton me Icardin

Drejtuesit e Real Madridit kanë kontaktuar me sulmuesin argjentinas Mauro Icardi, i cili pritet të largohet nga skuadra e Interit në fund të këtij edicioni.

Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga e përditshmja spanjolle "Marca". Icardi ka disa javë që ka prishur raportet me drejtuesit e Interit dhe ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon në verën e vitit 2021, transmeton koha.net.

Bëhet e ditur se Reali i ka ofruar tashmë Icardit kontratë katërvjeçare me një pagë vjetore që arrin deri në 11 milionë euro, përfshirë edhe bonuset.

Sulmuesi 26-vjeçar, këtë edicion ka shënuar 15 gola në 28 ndeshje për Interin në të gjitha garat kurse kartoni i tij, vlerësohet rreth 100 milionë euro. Ai te Interi u transferua në vitin 2013 nga Sampdoria për 13 milionë euro dëmshpërblim.