Sport

Shkëlqimi i Melosit

Descriptive Text

Veprimi me pak të qindtat e sekondës vonesë i ka kushtuar Melos Gashit të mos marrë medaljen e artë. Ai e ka humbur me rezultat të ngushtë (1:0) finalen e kampionatit evropian të karatesë dhe kështu është dashur të kënaqet me medaljen e argjendtë.

Bëhet fjalë për kampionatin e 46-të evropian për kadetë, juniorë dhe garues deri 21-vjeç, që para një muaji u mbajt në Danimarkë. Gashi garoi në grupmoshën e kadetëve në kategorinë mbi 70 kilogramë. Pati garë të madhe, shkruan sot “Koha Ditore”. Nisi me fitore 2:0 ndaj një garuesi nga Malta. Me 1:0 e mposhti një garues nga Kroacia e më pas fitoi 6:1 ndaj një slloveni.

Në gjysmëfinale kaloi garuesin nga Azerbajxhani (2:0) dhe kështu siguroi finalen ndaj turkut Ahmet Bulut. Në duelin vendimtar reagoi pak pas turkut dhe kështu mbeti me medalje të argjendtë evropiane, që gjithsesi vlerësohet sukses shumë i madh për karateistin e ri prishtinas.

“Vendi i dytë në Evropë, përkatësisht medalja e argjendtë evropiane, është arritje shumë e madhe. Për shtetin e Kosovës kjo është medalja e parë dhe e vetme evropiane e argjendtë”, ka thënë Melos Gashi për gazetën. Ai thotë se kampionati evropian është gara më e fortë e karatesë dhe se në finale ishte më i mirë se rivali.

“Kam bërë luftëra të mira. Edhe në finale, sipas trajnerëve, kam qenë më i mirë gjatë gjithë kohës, por në 15 sekondat e fundit në një duel ku të dy kërkonim pikën e fitores, ai ishte pak më përpara dhe e fitoi ndeshjen”, ka shtuar Gashi.

Kosova mori pjesë me 25 garues në evropianin për të rinj. Medalje fitoi vetëm edhe Albulena Gërvalla, të bronztën, në kategorinë deri 55 kilogramë në grupmoshën U-21.

Medalja e argjendtë evropiane i ka mundësuar Melos Gashit që të ngrihet në pozitën e parë në ranglistën botërore te kadetët në kategorinë +70 kilogramë.

Ai ka nisur me karate në moshën tetëvjeçare. Fillimisht ishte te klubi “FAN” e pas dy vjetësh e gjysmë kaloi në klubin “KAMPIONI” në Prishtinë. Në kohën kur Kosova ende nuk ishte e pranuar në Federatën Botërore, Melosi duke përfaqësuar Shqipërinë e fitoi medaljen e artë në kampionatin ballkanik, te kadetët e rinj.

Me medalje po vazhdon edhe tash duke e përfaqësuar Kosovën.

Synim ka medaljen olimpike.

Image