Sport

Superliga kthehet me derbin pa shikues

Pas pushimit prej tri javësh për shkak të ndeshjes së përfaqësueses dhe turneut final të Kupës, këtë fundjavë zhvillohet xhiroja e radhës në Superligën e Kosovës në basketboll.

Në program është java e 20-të, ndërsa kryendeshja luhet në Mitrovicë ndërmjet Trepçës e Ponte Prizrenit. Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 17:00, ndërsa Trepça nuk do ta ketë përkrahjen e tifozëve, shkruan sot Koha Ditore.

Trepça është e dënuar që këtë ndeshje ta luajë pa praninë e tifozëve. Trepça ka pasur përkrahje të madhe këtë edicion nga tifozët, por që së fundi nuk e ka shfrytëzuar shumë, duke humbur shumicën e ndeshjeve.

Ndeshja e së dielës do të ketë ndikimin e saj në garën për pozitën e katërt, ku pos Trepçës e Ponte Prizrenit është i përfshirë edhe Bashkimi.

Të tri skuadrat i kanë nga 28 pikë. Në plejof shkojnë gjashtë skuadra, por pozita e katërt krijon favore. Vendi i parë tashmë është siguruar nga Z Mobile Prishtina, ndërsa për vendin e dytë do të luftojnë Golden Eagle Ylli e Rahoveci që i kanë nga 31 pikë.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).