Sport

Xhemaili beson se Bologna do të mbetet në Serie A

Blerim Xhemaili është i bindur se skuadra e Bolognas edhe edicionin tjetër do të jetë pjesë e Serie A, pavarësisht se po lufton për mbijetesë, përcjellin të mërkurën mediumet italiane.

Bologna, aktualisht zë vendin e 18-të me po aq pikë të grumbulluara pas 26 xhirove të zhvilluara deri më tash në kampionatin italian, transmeton Koha Ditore.

"Gjëja më e rëndësishme është se të gjithë në ekip po besojmë se mund t'i shpëtojmë rënies nga Serie A. Jemi të vendosur për të luftuar deri në fund për të arritur synimin. Personalisht, jam optimist se edhe edicionin tjetër do të garojmë në Serie A", është shprehur Xhemaili, i cili njëherësh është edhe kapiten te Bologna. "Po luajmë mirë dhe ekipi po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje".

Mesfushori 32-vjeçar, këtë edicion ka regjistruar 20 paraqitje në të gjitha garat. Ai ka kontratë me Bolognan deri në verën e vitit të ardhshëm, kurse karrierë ka bërë edhe te Montreali, Galatasaray, Bologna, Napoli, Parma, Torino, Boltoni e Zuerichu.