Sport

KOK-u ankohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për të ashtuquajturën “Federata Serbe e Futbollit në Kosovë”

Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh ka pritur veprimin ilegal të dalë nga strukturat serbe, siç janë zgjedhjet e organeve të reja paralele në Kosovë të të ashtuquajturës “Federata Serbe e Futbollit në Kosovë”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Për Komitetin Olimpik të Kosovës është e papranueshme që në territorin e Kosovës të bëhen veprime të tilla kundërligjore, që janë në kundërshtim edhe me Kartën Olimpike dhe të cilat vazhdojnë të dalin nga strukturat ilegale serbe.

Milan Radoiçiqi kandidat për kryetar të Federatës serbe të Futbollit në Kosovë

Bazuar në Statutin e KOK-ut, Komiteti Olimpik i Kosovës njeh vetëm një federatë për një sport që organizon gara në territorin e Kosovës dhe ajo është Federata e Futbollit e Kosovës. Si e tillë, çdo federatë tjetër e formuar në Kosovë është ilegale.

Andaj, Komiteti Olimpik i Kosovës, këto veprime ilegale do t’i raportojë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në mënyrë që KON-i të ndërmarrë hapa konkret në Komitetin Olimpik të Serbisë, Federatën e Futbollit të Serbisë, e cila po ndërhynë në funksionimin e sportit në Kosovë përmes veprimeve ilegale, si dhe në organizatat ndërkombëtare që qeverisin me futbollin, UEFA e FIFA, në mënyrë që të parandalohen një herë e përgjithmonë strukturat ilegale sportive në Kosovë.

Po ashtu, KOK ju bënë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatave, si dhe Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas Ligjit për Sport dhe legjislacionit tjetër në fuqi, për t’i parandaluar aktet e tilla ilegale, të cilat e dëmtojnë sportin e Kosovës.

KOK mbështet Federatën e Futbollit të Kosovës, si organi i vetëm qeverisës me futbollin në vendin tonë dhe çdo veprim tjetër kundër ligjor jashtë veprimit të FFK-së, konsiderohet i paligjshëm, i papranueshëm dhe e dënueshme nga ne, dhe si të tilla nuk do të kenë asnjë pasojë juridike në sportin e Kosovës.