Sport

“FranceFootball” për Zenelin: Me talentin që ka do t’i bëjë shumë njerëz të flasin për të

Foto: Koha

Zeneli, premtimi i lumtur, titullohet shkrimi i faqes së madhe franceze, FranceFootball.

U lind në Suedi, zgjodhi Kosovën, ka prindër shqiptarë: Portret i Arbër Zenelit, me të cilin po njihen mbrojtjet e ekipeve në elitën e futbollit francez.

Ka arritur në Stade de Reim këtë dimër, e mbi të gjitha e ka një talent që mund t’i bëj njerëzit të flasin, nis shkrimi i gazetës prestigjioze franceze. Më pas përshkruhet ngjarja e 20 nëntorit 2018-të, kur gjyshi i Arbërit, Zekë Zeneli, ndërroi jetë, për të cilin nuk i tregoi askush sulmuesit të krahut, për shkak se luhej ndeshja historike mes Kosovës dhe Azerbajxhanit pak orë më vonë, e rëndësishme për të siguruar vendin në Final 4 të Ligës së Kombeve, që është mundësi e artë për të kaluar në Evropianin 2020.

E, Arbër Zeneli, pikërisht në ndeshjen vendimtare, shënoi het-trik, që ishte i pari në karrierën e tij, për ta ndihmuar Kosovën të mbetet e pamposhtur, madje me sulmin më të mirë në Ligën e Kombeve, transmeton KTV.

“Gjithmonë më ka pëlqyer futbolli dhe gjithmonë e kam pasur një top afër në këmbë. Kam qenë tifoz i Milanit dhe Kaka është futbollisti më i pëlqyer nga unë. Ka qenë kënaqësi ta shohësh atë tek luan”, deklaroi Zeneli për “FranceFootball”.

Për herë të parë ka qenë pjesë e të rinjve në ekipin Halsinggardens, e më pas shkoi te Elfsborgu, ku debutoi në vitin 2014-të, u paraqit në 46 ndeshje dhe shënoi 11-të gola. Për aftësinë e Zenelit ka folur mbrojtësi Sebastian Holmen, që luan me Dinamon e Moskës, por ishte pjesë e Elfsborgut në të kaluarën.

“Në ditët e tij të para, të gjithë e dinin se do të bëhej lojtar shumë i mirë. Ajo që më çuditi më së shumti ishte shpejtësia e tij me topin. Si mbrojtës që jam, gjithmonë shpresoja të mos luaja kundër tij në stërvitje”, tha Holmen.

Paraqitjet e mira të Arbër Zenelit bënë që ai të transferohej në Holandë te Heerenveni, me të cilin ekip shënoi 17 gola në 88 ndeshje. Zeneli është vetëm njëri prej futbollistëve që Kosovën nuk e harron dhe e promovon ngado që shkon.

“Kosova është gjaku im, origjina ime. Sot jam shumë krenar që e kam veshur fanellën e Kosovës”, tha Zeneli ndër të tjerash për vendin e tij, në intervistën e dhënë për gazetën prestigjioze franceze, “France Football”.

Në elitën e futbollit francez te skuadra Reim, 24-vjeçari Arbër Zeneli në katër ndeshje ka realizuar një gol e ka asistuar në dy raste tjera.