Pas titujve olimpikë dhe të botës, për Chloe Kimin vjen sfida e radhës - kolegji

Pas titujve olimpikë dhe të botës, për Chloe Kimin vjen sfida e radhës - kolegji

17 February 2019 18:34

Chloe Kim e kishte quajtur “stuhi perfekte dhe storie perfekte” momentin kur u bë snouborderja më e re që fitoi medaljen e artë olimpike. Ajo fitoi të artën në ngjarjen më të madhe, në moshën 17-vjeçare në shkurt të vitit të kaluar në Pyeongchang të Koresë së Jugut, dhe e arriti suksesin në prani të familjes së saj.

Një vit që nga atëherë, Kim, një kaliforniane me buzëqeshje që bënë njerëzit për vete, ka vazhduar të shtojë kapituj në atë storie. Ditë më parë ajo fitoi botërorin e parë në snoubord në disiplinën “halfpipe”, duke shtuar një sukses tjetër në rrugëtimin e saj, pas medaljes së artë olimpike dhe titullit të pestë në X Games, të cilin e siguroi muajin e kaluar.

Ajo me 93.50 pikë të mbledhura në tentimin e parë u distancua shpejt nga konkurrentet e tjera dhe triumfi i saj ishte vetëm çështje formaliteti.

“Unë nuk do të thosha që fitimi është gjithmonë synimi i madh. Unë gjithmonë dua të shtyj veten, të bëj diçka të re, të bëj manovra të reja. Përderisa të shtyj veten dhe të përparoj sportin me këtë, atëherë është mirë”, thotë Kim.

Kim, ylli i Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2018, nuk ka humbur në gara që nga janari i vitit 2018. Cai Xuetong e Kinës, që përfundoi e dyta në Botëror më herët këtë muaj, është rivalja e saj më e afërt dhe me gjasë edhe sfiduesja e saj më serioze në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 në Pekin.

“Të gjithë e dinë se Chloe është 'bossi', kështu që unë jam e lumtur që kam përfunduar e dyta”, ka thënë Cai, që ishte kampione e dyfishtë e botës.

Chloe Kim tash po përgatitet për sfidën e saj të radhës, studimet në Universitetin Princeton, ku do të regjistrohet në vjeshtë.

“Do të më pëlqente të jetoja jetë normale atje, ku ndoshta njerëzit nuk më njohin dhe e kanë mundësinë të më njohin jo për atë që kam arritur, por për atë që jam”, thotë Chloe, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. “Shpresoj të jetë kull”. Ajo në humor thotë se nuk e ka ndërmend të formojë një skuadër snoubordi në Princeton.

“Por një gjë për të cilën më pëlqen aq shumë Princetoni është se vërtet atje duan që të gjithë studentët të jenë kreativë dhe të bëjnë çfarë duan”, thotë Chloe Kim, tani 18-vjeçare.

Preferon lëndët shkencore

Ajo dëshiron të studiojë në shkencë, duke e quajtur kiminë si orën, përkatësisht lëndën e saj më të pëlqyer.

“Unë gjithmonë humbja orët në laboratorë, pasi isha gjithmonë në gara snoubordi”, thotë ajo.

Kim është ende duke bërë planin për të balancuar shkollën me karrierën në snoubord.

Ajo shijon duke qëndruar në muajt e verës me skateborderë në Kaliforni Jugore, dhe duke bërë pushim nga manovrat e snoubordit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme