Sport

City fiton dramën ndaj Monacos

Manchester City ka mposhtur 5 me 3 Monacon në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

Në ndeshjen me tetë gola të shënuar dy ekipet shijuan disa herë epërsinë, deri në momentin që City arriti të kthehej fuqishëm në fund të ndeshjes.

Raheem Sterling shënoi i pari në ndeshje për të kaluar Cityn në epërsi në minutën e 26-të. Pas tij rezultatin e barazoi Radamel Falcao ndërsa supertalenti Kylian Mbappe shënoi në fund të pjesës së parë për të kaluar Monacon në epërsi.

Në pjesën e dytë Sergio Aguero barazoi gjithçka në minutën e 58-të, para se Falcao me golin e dytë të kthente sërish Monacon në epërsi. Argjentinasi Aguero realizoi edhe golin e dytë personal në minutën e 71-të për të barazuar sërish rezultatin, ndërsa John Stones e Leroy Sane shënuan në minutat 77 dhe 82 për rezultatin përfundimtar të takimit.

Takimi i kthimit në Monaco zhvillohet më 15 mars.