Sport

Celina po impresionon te Swansea

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Bersant Celina, po vazhdon të impresionojë me paraqitjet e tij këtë edicion te Swansea City në Championship të Anglisë (kategoria e dytë).

Prej se i është bashkuar ekipit uellsian, Celina është titullar i padiskutueshëm dhe lojtari me numrin dhjetë në fanellë, që po tregohet i rëndësishëm për repartin ofensiv të Swanseas, transmeton Koha Ditore.

Kreativiteti i tij dhe aftësia për të shënuar gola kanë bërë që Swansea të ëndërrojë për një vend në garat e plejofit për kalim në Premier League. Si rezultat i paraqitjeve, Celina tashmë ka bërë që te Swansea të harrohet mesfushori ofensiv, islandezi Gylfi Sigurdsson, ka shkruar "WalesOnline" të martën.

Sigurdsson te Swansea ka luajtur së fundi në edicionin 2016/17 dhe ka qenë njëri prej lojtarëve kryesorë në ekip, kurse tani është pjesë e Evertonit në Premier League. Ai ka luajtur tre vjet te Swansea (2014-2017), duke shënuar 27 gola në 106 paraqitje, kurse karrierë në Premier League ka bërë edhe te Tottenhami.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).