Sport

Hajrizi rikthehet në përfaqësuesen e Kosovës

Pas 17 muajsh, është rikthyer në përfaqësuesen e Kosovës në basketboll, Drilon Hajrizi.

Basketbollisti mitrovicas ishte suspenduar nga Federata e Basketbollit të Kosovës, më 13 gusht të vitit 2017, pas kërkesës së ish-përzgjedhësit Brad Greenberg.

FBK-ja kishte marrë vendim që ta suspendojë pa afat të caktuar nga të gjitha aktivitetet e kombëtares Hajrizin, përderisa për gjashtë muaj në të gjitha garat e organizuara nga FBK, raporton KTV.

Deri te vendimi për suspendimin e Hajrizit kishte ardhur, kur ish-trajneri i Kosovës, Greenberg bëri kërkesë te drejtuesit e FBK-së për sjellje jokorrekte gjatë grumbullimit me Kombëtaren apo më saktë gjatë ndeshjes ndaj Maqedonisë.

Pas gati një viti e gjysmë, basketbollisti i Bashkimit, është ftuar për ndeshjen e radhës parakualifikuese ndaj Rumanisë, nga përzgjedhësi Damir Mulaomeroviq.

Hajrizi ndeshjen e fundit në fanellën e Kosovës e zhvilloi më 12 gusht të vitit 2017 ndaj Maqedonisë.