Willemi nxjerr në shitje Avdijajn

Willemi nxjerr në shitje Avdijajn

07 February 2019 10:17

Aventura e sulmuesit të Përfaqësueses së Kosovës, Donis Avdijaj te skuadra holandeze Willem II ka marrë fund.

Mediumet holandeze kanë raportuar se drejtuesit e klubit tashmë e kanë nxjerrë në shitje Avdijajn dhe se gjatë kësaj jave mund të zyrtarizohet transferimi i tij diku tjetër.

Avdijaj në fund të muajit dhjetor është suspenduar nga klubi për shkak të thyerjes së rregullave dhe gjithashtu muajin e shkuar është larguar nga kampi stërvitor në Spanjë për shkak të lëndimit të gjurit.

Sipas gazetës "Brabants Dagblad", klubi po kërkon blerës për Avdijajn nëpër Rusi, Poloni, Suedi, Zvicër e SHBA pasi janë ligat e vetme ku afati kalimtar është ende i hapur. Te Willemi tashmë e kanë huazuar sulmuesin e krahut Marios Vrousai nga Olympiacosi, i cili do të mbulojë rolin e Avdijajt deri në fund të këtij edicioni.

Avdijaj, 22-vjeçar, para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Willemit, me të cilin ekip ka kontratë deri në fund të këtij edicioni me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai deri më tash ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar gjashtë herë në 19 paraqitje në të gjitha garat. Kartoni i tij, vlerësohet rreth dy milionë euro.

Avdijaj karrierë ka bërë edhe te Schalke, Roda e Sturmi i Grazit. Ai në vitin 2017 ka debutuar me Përfaqësuesen e Kosovës dhe deri më tash ka gjashtë ndeshje të zhvilluara dhe dy gola të shënuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme