Sport

Barcelona bën udhëtimin e shkurtër te Girona, Reali i shkon Espanyolit

Liderja e La Ligës spanjolle Barcelona, që në mesjavë në çerekfinalen e Kupës së Mbretit u mposht nga Sevilla, do të ketë një udhëtim te shkurtër te ekipi tjetër katalanas, Girona, në duelin e javës së 21-të që zhvillohet të dielën nga ora 16:15.

Tifozët e futbollit e dinë mirë se kjo ndeshje u kërkua nga La Liga që të zhvillohej në Miami të Amerikës, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kështu, stadiumi “Montilivi” i Gironas do të jetë nikoqir i këtyre dy ekipeve, dhe fansat nuk do të kenë nevojë të bëjnë udhëtime për t’i shikuar yjet e ekipit mysafir.

Trajneri Ernesto Valverde e pushoi Lionel Messin në udhëtimin në Andaluzi, por sulmuesi argjentinas do të jetë i gatshëm të dielën dhe do të jetë interesant nëse do të ketë vend në skuadër për transferimin e ri, Kevin-Prince Boateng.

Messi pritet të jetë nga fillimi në këtë duel kundër vendit të 12-të në tabelë, që fitoi një pikë të madhe në “Camp Nou” 2:2, në pjesën vjeshtore të kampionatit.

Argjentinasi që është golashënuesi më i mirë i kampionatit deri tani me 18 gola, realizoi po ashtu në atë ndeshje bashkë me Gerard Piquen, kurse për mysafirët dy herë shënonte Cristhian Stuani.

Vetëm tri herë janë takuar këto skuadra në La Liga, dy fitore i ka Barcelona, 3:0 dhe 6:1, kurse tjetra përfundoi 2:2.

Barcelona nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Rafinhas, Umtitit e Dembeles, pasi që të tre janë të dëmtuar.

Edhe vendi i tretë, Real Madridi, do të jetë në aksion në Kataluni, pasi udhëton te Espanyoli i vendit të 13-të. Pasi e mposhti Sevillan në javën që shkoi, “Los Blancos” kërkon që ta kremtojë një tjetër fitore. Kampionit të Evropës pritet t’i kthehen në formacion Toni Kroos, Mariano Diaz e Marcos Llorente, ndërsa në dyshim janë ende Gareth Bale e Marco Asensio.

Që prej 20 tetorit të vitit 2007 kur Espanyoli e mposhtte Realin 2:1, janë zhvilluar edhe 24 ndeshje tjera në të gjitha garat. 20 fitore i kanë madrilenët, tri barazime e një humbje.

Dueli i parë në këtë edicion përfundoi 1:0 në të mirë të Realit, që fitoi falë golit të Asensios.

Espanyol – Real Madrid zhvillohet të dielën poashtu në orën 20:45.

Ndërkohë, Atletico Madridi i vendit të dytë luan me Getafen të shtunën në orën 16:15.