Sport

Gashi po shijon lavdinë në arenën kryesore të kikboksit

Kur i mendon sakrificat që ka pasur, Elvis Gashi gjykon të ketë kaluar pritshmëritë që kishte. Pritshmëritë e tij kishin të bënin me sportin luftarak të kikboksit.

Kikboksi vazhdon të jetë preokupimi i vetëm i Gashit, ndërsa edhe synimet e tij për të ardhmen kanë të bëjnë vetëm me këtë sport, shkruan sot Koha Ditore.

Gashi po shijon lavdinë që e ka arritur në kikboks. Lavdinë e ka arritur në organizimin kryesor të sportit të kikboksit, "Glory" (lavdia), por assesi nuk e ka thënë fjalën e fundit.

Ai ka shumë synime për të ardhmen që lidhen me "Glory", që zyrtarisht është një kompani ndërkombëtare promovuese e kikboksit e themeluar në vitin 2012. "Glory" mbledh kikboksierët më të mirë në botë, që paraqiten në mbrëmje të organizuara nga kjo kompani.

Më 1 dhjetor është mbajtur mbrëmja e fundit në Rotterdam, kurse e ardhshmja mbahet në Houston të SHBA-së më 1 shkurt. Në katër prej 71 mbrëmjeve të deritashme të "Glory" është paraqitur Gashi, kikboksieri i lindur në Pejë.

Paraqitja në serinë kryesore do të ishte e pamundur sikur Gashi të mos vendosej në SHBA. Për këtë është i vetëdijshëm kikboksieri kosovar. Ai aktualisht është i shtati në ranglistën e kategorisë së lehtë në "Glory". Kampion në këtë kategori është Sittchichai Sitsongpeenong i Tajlandës.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).