Sport

Golden State, një hap pranë gjysmëfinales së Perëndimit

Stephen Curry nuk po mundohej të bëhej hero. Ai thjesht dëshironte të fitonte.

Curry shënoi 34 pikë, duke përfshirë një treshe një minutë pa mbaruar ndeshja, me të cilën siguroi fitoren, ndërsa Golden State Warriorsat arritën të kalojnë një fillim jo të mirë duke triumfuar 119:113 të shtunën mbrëma në udhëtim ndaj Portland Trail Blazersave dhe duke marrë epërsinë 3:0 në serinë e raundit të parë të plejofit të NBA-së.

Duke luajtur pa Kevin Durantin e lënduar si dhe pa praninë e trajnerit Steve Kerr që është i sëmurë, Warriorsat arritën të kthehen nga një disavantazh prej 17 pikëve dhe të ngadhënjejnë, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”. Golden State Warriors mund të sigurojë biletën për në gjysmëfinale të plejofit të Konferencës Perëndimore, të hënën mbrëma, në Portland. “Unë mundohem të jem agresiv nga çdo pozitë. Mundohem të jem i gatshëm për çfarëdo momenti”, ka thënë Curry.

Klay Thompson shënoi 24 pikë në fitore. Një seri prej 19:1 në çerekun e tretë ktheu Warriorsat në lojë.

Pas ndeshjes Curry tha se ia dha topin e lojës menaxherit të përgjithshëm të Golden State, Bob Myers, që t'ia dorëzojë trajnerit Kerr. Ai qëndroi në hotel të skuadrës për shkak të sëmundjes.

CJ McCollum me 32 pikë ishte shënuesi më i mirë te Portlandi, ndërsa Damian Lillard shënoi 31 pikë. Asnjë skuadër nuk ka arritur të kthehet nga një disavantazh 3:0 në një seri të plejofit.

“Nuk besoj se ka ndodhur ndonjëherë një kthim nga 3:0, e veçanërisht është edhe më vështirë ndaj një ekipi si Golden State. Por, jam i sigurt se shumë e dinë se unë nuk jam nga ata që dorëzohen, unë jam shumë optimist”, ka thënë Lillard.