Sport

Stadiumi “Adem Jashari” pritet të jetë gati në qershor

Para katër ditësh kanë nisur punimet për renovimin e stadiumit olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, i cili konsiderohet i vetmi që me renovim mund të bëhet gati që klubet kosovare të fitojnë të drejtën e paraqitjes në kualifikime për Ligën e Kampionëve dhe për Europa League.

Ky është i vetmi stadium që pritet të jetë gati për klubet e Kosovës në muajin qershor do të nisin sfidat ndërkombëtare.

Janë disa prej kritereve që duhen plotësuar në mënyrë që ky stadium të licencohet për ndeshjet e garave ndërkombëtare, ndërsa përveç ndriçimit akoma punët tjera nuk kanë filluar.

Agim Ademi, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ka bërë të ditur për kp se punimet po zhvillohen sipas dinamikës së përcaktuar.

Sipas tij, punimet do të jenë të nivelit më të lartë që do të plotësojnë kushtet edhe për kategorinë e katërt.

Ai theksoi se ky projekt i përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, kap vlerën prej rreth 1 milion e 420 mijë euro, prej të cilave FFK-ja ka ndarë 700 mijë euro.

“Po ka filluar puna e ndriçimit. Puna është duke ecur sipas dinamikës së përcaktuar, prej javës së ardhme vinë shtyllat dhe dritat, shpresoj që në afatin e caktuar, ndoshta edhe më herët afatit shpresoj të përfundojë kjo punë dhe do të jetë e nivelit më të lartë, do të thotë, që i plotëson të gjitha kushtet edhe për kategorinë e katërt jo vetëm për kategorinë e dytë, për klubet tona që të luajnë ndeshjet ndërkombëtare. Projekti i stadiumit ‘Adem Jashari’ është në bashkëpunim me Ministrinë, por për punën e reflektorëve apo të dritave është projekt i ndarë që e bënë Federata e Futbollit, ndërsa punët brenda do t’i bëjë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. E di që ka një shumë 1 milion e 420 mijë euro, që do të investohet tash për këto ambiente dhe renovimin e këtij stadiumi. Ne do ta ndajmë një shumë prej 700 mijë euro”, ka thënë Ademi.

Në anën tjetër, Afrim Arifaj, përfaqësues i Kompanisë ‘Conex’ nga Prishtina, e cila do të bëjë vendosjen e reflektorëve në këtë stadium, tha se punët do të përfundojnë brenda 35 ditësh.

“Sot po bëjmë vendosjen e armaturës ku do të bëhet bazamenti për vendosjen e reflektorëve. Për një afat prej 35 ditësh do të përfundojnë punimet për ndriçim. Deri tash nuk kemi pasur ndonjë problem, problem mundet me qenë se duhet të dislokohemi prej tensionit të lartë në dy vende, dhe të vendosen pajisjet e reja”, sqaroi Arifaj.

Ndryshe, punimet në këtë gjigant të cilat janë paraparë të bëhen, siç janë hidroizolimi i tribunave, rregullimi dhe zgjerimi i zhveshtoreve, mbyllja e hapësirave të hapura jashtë stadiumit, pjesa e mediave, vënia e rrethit metalik përreth stadiumit në një gjatësi prej një kilometër dhe lartësi të rrethojave mes katër dhe gjashtë metra, pastaj vendosja e reflektorëve, zërimit dhe kamerave të sigurisë, do të përfundojnë deri më 1 qershor, atëherë kur pritet të inspektohet nga zyrtarët e UEFA-s.