Ndahen çmimet për gazetari sportive “Ali Shala”

Ndahen çmimet për gazetari sportive “Ali Shala”

11 January 2019 20:35

Bordi i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës mbajti edicionin e 4-të të çmimeve “Ali Shala” për zgjedhjen e gazetarëve më të mirë të vitit 2018, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Kjo ceremoni që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës, u zhvillua në praninë e figurave më të njohura sportive në vend dhe shumë kolegëve gazetarë. Fillimisht u mbajt një minutë heshtje për të nderuar penat e gazetarisë sportive ndër vite por të cilët nuk janë më në mesin tonë”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i SHGSK-së, Arlind Grantolli njoftoi për të arriturat, ngecjet, sukseset e Shoqatës në vitin 2018. Gjatë këtij viti gazetaria sportive humbi doajenin, ish-kryetarin dhe anëtarin e nderit të Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, Agim Binaku, ndërsa futbolli i Kosovës dhe në tërësi sporti humbi ikonën, legjendën dhe njeriun më popullor të vendit i cili tërë jetën ia kushtoi sportit por ishte shumë i afërt edhe me komunitetin tonë, ish-futbollisti dhe kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri.

“SHGSK-ja ndau mirënjohje të veçantë për veprën e këtyre dy figurave të mëdha të sportit. Këtë edicion, Bordi vendosi që të nderojë edhe ish-gazetarin dhe komentatorin, Veli Vraniqi duke themeluar çmimin në emrin e tij që iu dha komentatorit Andin Lokaj, për të vlerësuar punën e tij 20 vjeçare”, thuhet në komunikatë.

Duke u nisur edhe nga praktikat e shumë shteteve por edhe nga vetë Asociacioni Ndërkombëtarë i Gazetarëve Sportivë (AIPS) pjesë e të cilës jemi edhe ne nga viti 2016, SHGSK-ja thotë se ka marr vendim që të ndajë mirënjohje për të inkurajuar por edhe motivuar edhe më shumë gazetarët e rinj.

Titulli i kësaj mirënjohje është emëruar “Young Reporters” derisa ajo i ndahet gazetarëve që janë të rinj në këtë zeje por edhe të rinj në moshë. Këtë çmim e morri gazetari i Gazetës Blic, Lorik Jashanica.

Momenti kulmor i ceremonisë ishte zbulimi i laureatëve “Ali Shala 2018” në 3 kategori.

Në kategorinë “Fotografi më i mirë”, komisioni i përbërë nga prof. Visar Mulliqi, prof. Mirsad Lushtaku dhe Mina Krasniqi zgjodhën, Shpend Ahmetin – Fotografin më të mirë të vitit 2018.

Ndërsa në kategorinë “Kronika më e mirë në TV/Radio”, komisioni i përbërë nga Besim Abazi, Arbër Avdyli dhe Fatos Berisha, zgjodhën fitues Avni Shabanin nga Radio Kosova, që kishte shtjelluar temën e 3 vëllezërve që kishin qenë pjesë e një klubi hendbolli.

Dhe së fundi tek “Shkrimi më i mirë i vitit” fitues dolën Valon Konushevci dhe Moral Pozhegu me temën “Sporti në paterica”. Komisioni vlerësues në këtë kategori ishte i përbërë nga Faton Abdullahu, Shkumbin Munishi dhe Lumnije Morina.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme