Sport

Grevisti, atleti që nuk e ndalin barrierat

Ka rreth tetë muaj që Grevist Bytyçi ka nisur me ushtrime të rregullta në atletikë. Ëndrrat e tij janë të njëjta me ato të sportistëve të tjerë - të arrijë majën në sportin që ka zgjedhur.

Fillimi nuk duket i keq për Grevistin 26-vjeçar nga Malisheva. Ai ka arritur disa rezultate në garat e deritashme që e mbushin me shpresë se në të ardhmen mund të ngjitet lart e më lart, shkruan sot Koha Ditore.

Vetë pjesëmarrja e tij e rregullt në stërvitje e në gara është një fitore. Është fitore për Grevistin personalisht, për klubin e atletikës Malisheva, për Federatën e Atletikës së Kosovës dhe për komunitetin sportiv në përgjithësi.

Djaloshi malishevas përballet me sfida që nuk i kanë atletët e tjerë, por është i vendosur për të prekur nivele të tjera, nivele të larta. Ai ka humbur dorën e djathtë në një aksident me rrymë elektrike, kur ishte ende fëmijë. Por ka refuzuar të dorëzohet. Sportin e ka dashur gjithnjë dhe nuk i është ndarë asnjëherë.

Pasi për vite të tëra luajti futboll si pjesë e klubit Malisheva, tashmë ka nisur karrierën në atletikë. Po garon në gara të rregullta që i organizon Federata e Atletikës e Kosovës. Javën e kaluar mori pjesë në Mitingun e Dytë të hapur, që u mbajt në Mitrovicë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.