Sport

Saviçeviq e quan Kosovën “të rrezikshme”, Tumbakoviq “s'e bën hesap”

Kryetari i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviçeviq, e ka vlerësuar Përfaqësuesen e Kosovës si kundërshtare të rrezikshme në eliminatoret për "Euro 2020", derisa përzgjedhësi i ekipit malazias, Lubisha Tumbakoviq, nuk e ka futur në mesin e favoritëve të grupit.

Mali i Zi e Kosova bëjnë pjesë në Grupin A, të cilin e përbëjnë edhe Anglia, Çekia dhe Bullgaria. Ndeshjet e para në kuadër të eliminatoreve do të luhen në mars. Legjenda Saviçeviq ka insistuar se Kosova mbetet rivali më i padëshiruar, teksa ka shtuar se Mali i Zi është ekip më i mirë nëse do të jetë i kompletuar, transmeton Koha Ditore.

"Kosova është ekipi i vetëm që kam dashur ta evitojmë. Kosova është ekip i rrezikshëm dhe ne assesi nuk guxojmë ta nënçmojmë. Ka entuziazëm pas paraqitjeve dhe rezultateve të mira në Ligën D të Ligës së Kombeve, por nëse jemi të kompletuar, përfundimisht jemi më të mirë se Kosova", është shprehur Saviçeviq për gazetën "Vijesti". "Grupi është i paparashikueshëm deri në fund, por besoj që kemi gjasat tona edhe pse duhet pranuar që Anglia është favoriti kryesor".

Edhe për seleksionuesin e Malit të Zi, serbin Tumbakoviq, favoriti kryesor i këtij grupi mbetet Anglia. Pas Anglisë, sipas tij, vijnë Çekia e Bullgaria. Mirëpo ai insiston se Mali i Zi ka gjasa të mëdha për ta shkruar historinë me këtë gjeneratë, duke u kualifikuar në "Euro 2020".

Tumbakoviq beson tek të përzgjedhurit e tij, duke insistuar se ata janë të uritur për të pasur sukses në këto eliminatore. Ndeshjen e parë Mali i Zi në kuadër të eliminatoreve e luan më 22 mars në udhëtim kundër Bullgarisë përpara se ta presë Anglinë në Podgoricë tri ditë më vonë. Ndërkohë me Kosovën ndeshjet Mali i Zi do t'i luajë më 7 qershor në Podgoricë dhe 14 tetor në Prishtinë. Sa i përket ndeshjes së parë në këto eliminatore, Kosova e luan më 25 mars në shtëpi kundër Bullgarisë.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).