Xhudo e tha fjalën kryesore për sportin kosovar më 2018

Xhudo e tha fjalën kryesore për sportin kosovar më 2018

03 janar 2019 00:24

Xhudoja vijon të jetë sporti më i suksesshëm për sportistët kosovarë, numri i të cilëve vetëm po shtohet nga viti në vit. Krahas Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit, e Akil Gjakovës, gjatë vitit 2018 iu gëzuam edhe sukseseve të Loriana Kukës, Shpat Zekës, Laura Fazliut e Erza Muminoviqit.

Kosova kishte fituar 16 medalje gjatë vitit 2017 derisa më 2018, e dyfishoi numrin e medaljeve të fituara. Këta xhudistë i sollën Kosovës 32 medalje nga gara të ndryshme ndërkombëtare. Prej tyre, 18 të arta. Në konkurrencat e reja, Kosova me Zekën, Muminoviqin e Fazliun festoi edhe 18 medalje të tjera.

Majlinda Kelmendi pas një pauze pothuajse një vjeçare për shkak të lëndimit, në fund të muajit tetor u kthye në tatami, në grand slamin e Abu Dhabit, ku doli e dyta. Kampionia olimpike ishte e pafat në finale pasi për shkak të lëndimit që e pati në hundë, u desh ta dorëzonte duelin ndaj kundërshtares Giuffrida, të cilën e kishte mposhtur në finale të olimpiadës së Rios. Në garën e dytë për vitin 2018, 27-vjeçarja fitoi medaljen e artë në Grand Prix të Tashkentit duke fituar finalen ndaj zviceranes Tschopp.

Viti 2018 ishte vit i Nora Gjakovës. Xhudistja pejane, nga 9 garat ku mori pjesë, në 7 prej tyre fitoi medalje. Gjakova, të arriturën më të madhe e pati në Tel Aviv ku u shpall kampione Evrope në kategorinë 57kg. Nora në finale, mposhti gjermanen Stoll dhe triumfoi për herë të parë në një Evropian. 26-vjeçarja ishte e artë edhe në Lojrat Mesdhetare në Tarragona. Nora nuk u ngjit në podium në kampionatin botëror megjithatë iu kthye sukseseve në Abu Dhabi ku u stolis me medaljen e artë. Kampionia evropiane, në garën e fundit për vitin 2018, doli e dyta në masters turneun e Guanxhout. Nora pas tri fitoreve, në finale nuk arriti të mposhtte japonezen, Tsukasa Yoshida, që është numër 1 në këtë kategori.

Akil Gjakova pati vitin më të suksesshëm në karrierë. Me rezultatet e arritura, Akili tejkaloi edhe trajnerin e tij, Driton Kukën duke i sjellë Kosovës medalje nga konkurrenca e meshkujve në xhudo pas 27 vjetësh.

Gjakova fitoi katër medalje të arta në vitin 2018 derisa sukseset më të mëdha konsiderohen titulli i kampionit të Evropës për U23 dhe triumfi në njërin prej turneve më të rëndësishëm në xhudo, grand slamin e Parisit.

Akili u shpall kampion Evrope te të rinjtë, pasi ishte i pakonkurrencë në kategorinë e tij në kampionatin evropian që u zhvillua në Gyor.

Në Paris, ku Kosova për herë të parë ishte pa Majlinda Kelmendin, suksesi i takoi Akil Gjakovës. 22–vjeçari fitoi finalen ndaj gjeorgjianit, Shavdatuashvili dhe u bë xhudisti i parë kosovar që fiton medalje të artë në Paris. Gjatë këtij viti, Akili rrëmbeu medalje të artë edhe në Lojërat Mesdhetare në Tarragona.

Distria Krasniqi u ngjit në podium në të 10 garat që mori pjesë sivjet derisa sërish ndërroi kategori. Krasniqi e nisi vitin në 52kg derisa pesë garat e fundit i pati në 48kg, natyrisht me qëllimin e vetëm, që të ketë mundësinë të jetë pjesë e Olimpiadës së Tokios. 22-vjeçarja u shpall nën-kampione Evrope, ndërkaq ishte e artë në Lojrat Mesdhetare. Në Grand Slamin e Parisit, Distria për vitin e dytë rresht doli e treta. Pas ndërroi kategorinë në 48kg, Krasniqi rezultatin më të mirë e pati në mastersin kinez të Guangxhout. Pas Rusisë, himni ynë u intonua edhe në Kinë, një tjetër shtet që nuk e njeh Kosovën. E tërë kjo, falë suksesit të Krasniqit, që zuri vendin e parë në kategorinë deri 48kg.

E ardhmja e xhudos është e ndritshme dhe këtë e tregojnë më së miri sukseset e të rinjve, Loriana Kuka, Erza Muminoviq e Shpat Zeka.

Kuka e fitoi titullin e më të mirës në kampionatin evropian U23. 21-vjeçarja ishte e pakonkurrencë në kategorinë e saj, 78kg. Ky ishte suksesi më i madh i Kukës që ndër të tjera fitoi edhe medaljen e argjendtë në Lojërat Mesdhetare në Tarragona.

Vit i suksesshëm ishte edhe për Erza Muminoviqin. 16-vjeçarja fitoi 11 medalje në 12 garat që mori pjesë. Muminoviqi u shpall kampione e Evropës për kadetë në kategorinë e saj derisa shkëlqeu në Lojërat Olimpike për të Rinjtë, në Buenos Aires, duke i dhënë medaljen e vetme shtetit të Kosovës. Erza doli e treta në kategorinë deri 44kg. 16-vjeçarja fitoi edhe një medalje tjetër, të bronztën në konkurrencën ekipore.

Shpat Zeka është një tjetër emër që po ngjit shkallët drejt garave seniore duke korrur suksese të njëpasnjëshme. Zeka fitoi medalje në të pesë garat që mori pjesë gjatë vitit 2018. E arritura më e madhe për 18-vjeçarin ishte titulli i nën-kampionit evropian për juniorë në kategorinë deri 100kg, të cilin e arriti në evropianin e mbajtur në Sofje gjatë muajit shtator.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme