2018-ta, vit i Francës, Realit e Modriqit

2018-ta, vit i Francës, Realit e Modriqit

02 January 2019 23:50

“Kupa më e mirë e Botës” e zhvilluar sivjet, e pati një nga finalet më të mira në histori.

Ekipi i jashtëzakonshëm i Francës përballë e pati Kroacinë, që e mposhti 4:2, duke i bërë francezët më të mirët e botës në futboll.

Natyrisht, nga ky Botëror nuk mund të harrohen momentet e Xhakës dhe Shaqirit, që shënuan dy gola vendimtarë në duelin kundër Serbisë, të cilën e fundosën me shënime spektakolare. Festa e tyre, ishte edhe më e veçantë.

Antoine Griezmann që e pati edhe ndihmën e Kylian Mbappes, ishin të padiskutueshëm. Mbappe u bë tinejxheri i parë që shënon në finale që prej Peles, 60 vjet më parë. Nuk mungoi në listën e realizatorëve as Paul Pogba, në finalen që dhuroi më së shumti gola që prej vitit 1958. Kroacia, shtet me vetëm katër milionë njerëz, bëri thuajse të pamundurën për të kaluar në finale, duke luajtur tri herë rresht në vazhdime, që ishte ekuivalente e katër ndeshjeve në 11 ditë.

Cristiano Ronaldo me Portugalinë, Lionel Messi me Argjentinën dhe Neymari ne Brazilin, e lanë garën më herët se që është menduar, por ishin të rinjtë që treguan forcën e vërtetë.

Gjermania ishte kampione në fuqi e Botës, por të drejtuarit e Joachim Lowit u eliminuan në fazën e grupeve, duke përfunduar në vendin e fundit.

Ekipi i ri i Anglisë me Southgatein, e kërkonte finalen për herë të parë që kur e fitoi garën në vitin 1966, por u eliminua nga kroatët në gjysmëfinale.

Që prej ndeshjes hapëse ku Rusia, shteti me renditjen më të ulët në garë, e 70-ta, e që dhuroi pesë gola, e me vazhdimin e het-trikut të Ronaldos në barazimin 3:3 të Portugalisë me Spanjën, kjo Kupë e Botës u cilësua si më e mira.

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, kapiten i skuadrës në suksesin e 1998-s, u bë njeriu i tretë që e ngrit lartë trofeun e Botërorit si futbollist e si trajner, pas Mario Zagallos së Brazilit dhe Franz Beckenbauerit të Gjermanisë.

Risi në Botërorin e Rusisë ishte edhe sistemi VAR, që u përdor për herë të parë në një garë të madhe botërore, e që shmangu gabimet e gjyqtarëve.

Liga e Kampionëve

Real Madridi e fitoi Ligën e Kampionëve dhe e ndërroi trajnerin.

Sulmuesi i madrilenëve Gareth Bale, e realizoi njërin ndër golat më të bukur me kthim nga një distancë shumë e largët, për t’i dhënë skuadrës së tij fitoren 3:1 kundër Liverpoolit në “Champions”. Për skuadrën nga kryeqyteti spanjoll ishte titulli i tretë rresht dhe i 13-ti në total.

Zëvendësuesi Bale i cili po ashtu, shënoi edhe në finalen e 2014-s për Real Madridin, në fitoren kundër Atletico Madridit, i kaloi vetëm tre minuta në fushë dhe e shfrytëzoi mrekullisht harkimin e Marcelos në minutën e 64-t, në finalen e zhvilluar në Olimpiyskiy të Kievit në Ukrainë. Në këtë ndeshje u kritikua shumë portieri gjerman i “Të Kuqve”, Karius, që bëri dy gabime të pafalshme gjatë ndeshjes. Anglezëve nuk u mjaftoi goli i Sadio Manes. Real Madridi u bë në fund ekipi i parë që prej Bayern Munichut në vitin 1976 që e fiton trofeun tri herë rresht dhe Zinedine Zidane, trajneri i parë që e fitoi këtë garë në tri edicionet e fundit. I pafat në këtë duel ishte sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, që e lëndoi krahun pas duelit me kapitenin Sergio Ramos, e me lot në sy u largua edhe Dani Carvajal, mbrojtësi i madrilenëve.

Vetëm pesë ditë pas triumfit në Kiev, Zidane e habiti botën e futbollit kur e lajmëroi largimin nga kampioni Evropian. Zidane i fitoi nëntë tituj të mëdhenj si trajner i “Mbretërve”.

Zëvendësimi i Zidaneit doli të jetë detyrë e vështirë. 24-orë pasi u shkarkua nga detyra me Kombëtaren e Spanjës, Julen Lopetegui u prezantua si trajner i ri i Real Madridit. Ai mbërriti në Madrid nga Rusia vetëm dy ditë para se të fillonte Botërori.

Megjithatë, Lopetegui pas tre muajsh, u shkarkua nga gjiganti spanjoll, pasi u mposht nga rivali i përjetshëm, Barcelona.

Si zëvendësues i Lopeteguit erdhi Santiago Solari, 42-vjeçari nga Argjentina, që fillimisht ishte me kontratë të përkohshme, e më pas u bë edhe zyrtarisht trajner i skuadrës, me kontratë deri në vitin 2021.

Në Ligën e Evropës triumfoi Atletico Madridi

Sulmuesi i Atletico Madridit, triumfoi në Ligën e Evropës, duke e mposhtur Marseillein 3:0 për herë të tretë, e dy gola prej tyre i shënoi ylli francez, Antoine Griezmann.

Marseille ishte dominues në fillim, por të udhëhequrit e Diego Simeones shënuan edhe një tjetër gol me Koken për ta mbyllur në të mirë të vet takimin.

Barcelona e fiton La Ligën, largohet kapiteni Andres Iniesta

Barcelona u kurorëzua si më e mira e La Ligës spanjolle për herë të 25-të në histori të klubit. Të udhëhequrit e Ernesto Valverdes e fituan edhe Kupën e Mbretit për t’i kompletuar dy titujt në një sezon të vetëm për herë të tetë.

Pas këtij gëzimi, tifozët e Barçës morën lajmin për largimin e Andres Iniestas që u përshëndet me klubin Katalan pas 16 vjetësh, duke qenë zemra e mesfushës së “Blaugranas”.

Iniesta e kaloi gjithë karrierën e tij seniore në Barcelonë dhe është njeriu më i suksesshëm bashkë me Messin, duke ngritur 32 trofe.

Triumfues me rekord në Angli, Manchester City

Manchester City e rrëmbeu titullin e Premier Leagues, duke e siguruar kampionatin pesë ndeshje pa përfunduar gara.

Pasi u kurorëzua me titull edhe në Angli, Pep Guardiola u hodh në ajër nga futbollistët, një eksperiencë me të cilën ai veçse është mësuar, pasi ka shtatë liga të fituara tani me Barcelonën, Bayern Munichun dhe Manchester Cityn.

Gjatë këtij sezoni, “Qytetarët” thyen shumë rekorde historike. City bëri rekord të pikëve, 100 gjithsej, më së shumti gola në Premier League për një sezon, 106 në total, më së shumti fitore, 32, dhe dallim 19 pikë nga vendi i dytë.

Bayerni e fiton ligën gjermane, Kovaqi e zëvendëson Heynckesin

Pesë ndeshje pa përfunduar kampionati gjerman, Bayern Munichu e festoi titullin e gjashtë rresht në Bundesligë.

Ishte arritje e jashtëzakonshme për 72-vjeçarin e ish-trajnerit bavarez, Jupp Heynckes, që u kthye nga pensionimi në tetor për ta zëvendësuar Carlo Ancelottin. Ishte hera e katërt që ai u ul në bankinën e Bayernit, dhe në fund doli triumfues me pesë pikë më shumë se vendi i dytë.

Juventusi shtatë herë rresht kampion, largohet Buffoni

Dominuesi i ligës italiane Serie A iu gëzua titullit të shtatë rresht në Serie A dhe titullin e ligën e fitoi për herë të katërt një pas një.

Juventusi i kompletoi 38 ndeshjet me 95 pikë me 30 fitore, pesë barazime e tri disfata.

Portieri legjendar dhe kapiteni i klubit, Gianluigi Buffon, e zhvilloi ndeshjen e tij të fundit me Juventusin pas 17 sezonesh dhe nënshkroi më pas kontratë njëvjeçare me kampionin e Francës, Paris Saint-Germainin.

Cristiano Ronaldo nënshkroi kontratë me Juventusin në verë.

Pesë herë futbollisti më i mirë i Botës, Cristiano Ronaldo, u transferua nga Real Madridi.

Ronaldo i cili iu bashkua Realit nga Manchester United në vitin 2008 për atë kohë rekord me 80 mln funte, u bë golashënuesi më i mirë i madrilenëve me 451 gola të shënuara në të gjitha garat dhe i fitoi dy tituj të La Ligës dhe katër trofe të Ligës së Kampionëve.

Trajnerët: Wenger ndahet me Arsenalin, pas gati 22 vjetësh në krye të klubit

Arsene Wengeri lë Arsenalin pas afër 22 vjetësh në krye të këtij klubi.

68-vjeçari ka qenë me ekipin nga Londra Veriore që prej tetorit të vitit 1996.

I fitoi tre tituj të Premier Leagues, përfshirë këtu edhe suksesin si i pamposhtur brenda një sezone, shtatë Kupa FA dhe e dërgoi Arsenalin në Ligën e Kampionëve për 20 vjet rresht. Ata e fituan ligën dhe FA Cup dy herë brenda një sezoni, në vitin 1998 dhe 2002.

Në vend të tij si trajner i ri erdhi Unai Emery.

Ndërkohë, edhe te Chelsea pati ndryshime në rolin e trajnerit.

Antonio Conte u shkarkua, e vendin e tij e zuri bashkëkombësi i tij, Maurizio Sarri.

Conte u shkarkua pas një viti ku triumfoi një vit me londinezët fillimisht në Premier League, por më pas ekipi dështoi të kualifikohej në “Champions”.

Ishte trajner i Interit dhe Manchester Cityt, por Roberto Mancini e mori më pas drejtimin e Italisë, kombëtarja axurre që kishte probleme të mëdha, madje dështoi të kualifikohej në Botëror.

Ai e zëvendësoi Gianpiero Venturan, që u shkarkua në nëntor të vitit 2017, pasi dështoi ta kualifikonte Italinë në Kupën e Botës për herë të parë që prej vitit 1958.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme