Sport

Të artët e vitit – xhudistët e rinj

Punëtori më i madh sportiv i vitit, Driton Kuka, ka qenë edhe sivjet motori prapa sukesit të jashtëzakonshëm të të rinjve në xhudo. Krahas Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit, e Akil Gjakovës, gjatë vitit 2018, iu gëzuam edhe sukseseve të Loriana Kukës, Shpat Zekës, Laura Fazliut e Erza Muminoviqit.

Këta xhudistë i sollën Kosovës 32 medalje nga gara të ndryshme ndërkombëtare. Prej tyre, 18 të arta. Në konkurrencat e reja, Kosova me Zekën, Muminoviqin e Fazliun, festoi edhe 18 medalje të tjera.

Majlinda Kelmendi, pas një pauze pothuajse njëvjeçare, për shkak të lëndimit, në fund të muajit tetor u kthye në tatami, në Grand Slamin e Abu Dhabit, ku doli e dyta. Kampionia olimpike ishte e pafat në finale, pasi për shkak të lëndimit që e pati në hundë u desh ta dorëzonte duelin ndaj kundërshtares Giuffrida, të cilën e kishte mposhtur në finale të Olimpiadës së Rios. Në garën e dytë për vitin 2018, 27-vjeçarja fitoi medaljen e artë në Grand Prix të Tashkentit, duke fituar finalen ndaj zviceranes Tschopp.

Viti 2018 ishte vit i Nora Gjakovës. Xhudistja pejane, nga 9 garat ku mori pjesë, në 7 prej tyre fitoi medalje. Gjakova, të arriturën më të madhe e pati në Tel Aviv, ku u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri në 57kg.

Akil Gjakova pati vitin më të suksesshëm në karrierë. Me rezultatet e arritura, Akili tejkaloi edhe trajnerin e tij Driton Kukën, duke i sjellë Kosovës medalje nga konkurrenca e meshkujve në xhudo pas 27 vjetësh.

Ky sport premton medalje edhe vitin tjetër.