Sport

Sulmuesi kosovar nuk respekton rregullat e klubit, suspendohet

Nuk kanë të ndalur problemet për Donis Avdijajn.

Sulmuesi i Kombëtares, së Kosovë, që aktivizohet te skuadra Willem II, është suspenduar nga klubi holandez, raporton “Sporti në KTV”.

E gjitha kjo ndodhi kur Willemi kishte udhëtuar drejt Emmenit për ta zhvilluar ndeshjen e javës së 17-të.

Një natë para ndeshjes, kur skuadra ishte e vendosur në hotel dhe duhej të pushonin, këtë rregull nuk e respektoi Avdijaj me tre shokë të tjerë, pasi së bashku ishin larguar pa leje nga hoteli për të dalë në qytetin e Emmenit.

Sipas gazetës gjermane Kicker, trajneri i Willem II, Adrie Koster, e kishte hetuar largimin e lojtarëve dhe i ka suspenduar ata.

“Pres që lojtarët profesionistë të përgatiten profesionalisht për një ndeshje.

Mund t’i lëshoni gjërat, por unë e ndjeva të nevojshme të ndërhyj në këtë rast dhe të jem i qartë. Në këtë klub, ka kufij dhe të gjithë duhet të qëndrojnë në të”, u shpreh Koster.

22-vjeçari, këtë edicion ka luajtur në 19 ndeshje me fanellën e Willem II, ku ka shënuar 3 gola dhe ka bërë 6 asistime.