Pronari kontrovers i Steauas është kundër femrave në futboll

Pronari kontrovers i Steauas është kundër femrave në futboll

22 December 2018 10:53

Pronari i gjigantit të Rumanisë në futboll, Steaua Bukuresht, është i bindur se është "kundër natyrës njerëzore" dhe "shumë e rrezikshme" që femrat të luajnë futboll.

George Gigi Becali ka kërcënuar se do të largohet përjetësisht nga futbolli, nëse do të obligohet nga Federata e Futbollit të Rumanisë apo UEFA që ta krijojë ekipin e femrave të Steaua Bukureshtit. Becali ishte anëtar i Parlamentit të Rumanisë, por dha dorëheqjen nga ky post për shkak të fyerjeve raciste, seksiste dhe homofobike që i kishte bërë. Ai në një intervistë për mediumet rumune ka insistuar se gjërat nuk mund të bëhen kundër dëshirës së Zotit, duke aluduar në formimin e ekipit të femrave.

"Do të tërhiqem tërësisht nga futbolli. Themelimi i ekipit të femrave është ide djallëzore. Femra nuk mund të luajë futboll dhe ky sport nuk është për këtë gjini", është shprehur Becali. "Trupi i femrës nuk është i ndërtuar për futboll. Futbolli është i rrezikshëm për femrat, që janë krijuar për të qenë të bukura dhe tërheqëse për gjininë e kundërt".

Gjithashtu, Becali ka shtuar se krahas futbollit, femra nuk duhet të lejohet as të boksojë. Sipas tij, të gjitha sportet që janë agresive nuk i takojnë botës së femrave.

"Ne po ndikojmë për të keq të femrat, duke i lejuar që të luajnë futboll dhe të boksojnë. Ato duhet të luajnë hendboll, volejboll dhe basketboll. Këto janë sportet e tyre, jo sportet e tjera agresive", ka shtuar Becali. "Unë asnjëherë nuk do ta formoj ekipin e femrave të Steauas. Edhe nëse më detyrojnë, jam në gjendje të largohem tërësisht nga futbolli. Nuk do t'i ndryshoj asnjëherë qëndrimet e mia karshi kësaj ideje dhe do të ishte mirë që edhe të tjerët të ndajnë të njëjtin mendim me mua". (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme