Sport

Orari i çoroditur i Ligës Ballkanike

Descriptive Text

Gara nisi me gjashtë ekipe, ndërkohë rrugës u shtuan edhe dy, një nga Kazakistani. Disa ekipeve iu mundësua t'i luajnë nga tri ndeshje për tri ditë dhe në një vend krejt tjetër, shkruan sot Koha Ditore.

Prishtinës ndërkohë i është lejuar t'i bashkohet garës tre muaj pasi ka nisur ajo. Disa ekipe kanë luajtur ndeshjet e xhiros së 12-të, por asnjë ndeshje e xhiros së dytë nuk është luajtur.

Kjo është Liga Ballkanike, orari dhe trajtimi i çuditshëm i skuadrave. Gjithashtu ka pasur ekipe që para fillimit të edicionit ishin paralajmëruar si pjesëmarrëse dhe pastaj janë tërhequr, siç ishte rasti me KB Shkupi.

Si asnjëherë më parë, Liga Ballkanike që mbledh skuadra të rajonit është çakorduar, kjo edhe për mungesë të interesimit të skuadrave për të marrë pjesë në të. Për këtë arsye, skuadrave u mundësohet të luajnë kur ato munden dhe të inkuadrohen në gara kur ato shprehin dëshirë, qoftë edhe pasi të nisë stinori.

"Këtë edicion gjërat kanë shkuar si zhagas. Prej fillimit pati disa telashe, pastaj nisi me gjashtë ekipe për t'i shtuar më vonë edhe dy të tjera. Gjithashtu, edhe çoroditja e orarit ka ardhur për shkak të angazhimeve tjera që i kanë ekipet, siç është rasti me Prishtinën që prioritet e ka paraqitjen në FIBA Europe Cup. Ndoshta, prej fillimit të kishin qenë tetë ekipe, besoj se gjërat do të kishin qenë shumë më mirë", ka thënë ish-menaxheri i Bashkimit, Arlind Kaçaniku.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).