Sport

Lëndohet Ajeti, humb sfidën me Chievon

Descriptive Text

Arlind Ajeti dëmtohet sërish. Pas atij lëndimi, që e detyroi të humbiste fillimin e sezonit por edhe sfidat e kombëtares shqiptare ndaj Maqedonisë, Lihtenshtejnit dhe Spanjës, 23-vjeçari ka marrë një tjetër goditje duke humbur kështu sfidën e radhës në kampionat që Torino do të ketë ndaj Chievos.

Pas dhimbjeve që ndjeu në pulpë në fillimin e kësaj jave, nga analizat të cilave iu është nënshtruar mbrojtësi, është zbuluar edhe shkalla dëmtimit të tij, transmeton Supersport. Kuqeziu vuan disa shqetësime në muskulin e pulpës së këmbës së djathtë dhe sipas asaj që raporton klubi i Torinos në faqen zyrtare, koha e rikuperimit të ish lojtarit të Frosinones do të vlerësohet ditë pas dite.

Është e sigurt mungesa e Ajetit në takimin e kësaj fundjave ndaj Chievos ndeshje në të cilën trajneri i skuadrës Granata, Sinisa Mihajloviq do të ketë shumë mungesa në repartin e prapavijës.

Në transfertën e Veronës, Torino nuk do të ketë në dispozicion edhe tre mbrojtës të tjerë, brazilianët Castan e Carlao si dhe Christian Molinaron. Duke parë këto mungesa prezenca e Ajetit ishte domosdoshme në këtë sfidë me trajnerin Mihajloviq që ishte gati ta aktivizonte titullar 23-vjecarin shqiptar. Për shkak edhe të dëmtimeve të shpeshta, ky sezon nuk ka rezultuar shumë pozitiv për Arlind Ajetin i cili në Serinë A ka luajtur në total vetëm 4 ndeshje me fanellën e Torinos, 3 prej tyre si titullar, teksa ka arritur të realizojë dhe 1 gol në fitoren me shifrat 5-3 ndaj Pescarës.