Sport

Me ndeshjet e Kupës, futbolli i jep fund për këtë vit

Te Liria janë të përkushtuar që të prishin planet e Prishtinës për ndeshjen e fundit të këtij viti. Liria e pret Prishtinën të shtunën (sot, 12:30) në Prizren, në kuadër të 1\8 së finales të Kupës së Kosovës në futboll.

Kjo vlerësohet të jetë ndeshja më interesante e këtij rrethi të garave, ndërsa prizrenasit besojnë se mund të mposhtin Prishtinën dhe të kalojnë tutje. Prishtina, si fituese në fuqi e Kupës, ka plane që të vazhdojë garën për këtë trofe që siguron daljen në Evropë dhe beneficione të mëdha financiare, shkruan sot Koha Ditore.

Me ndeshjet e Kupës, që luhen të shtunën e të dielën, përfundojnë garat e futbollit në vend për këtë vit.

"Unë mendoj që është një ndeshje e veçantë. Të tillë e vlerësoj pasi kemi rastin e mirë të shkojmë tutje në garat për Kupë të Kosovës. Edhe më optimist jam për faktin që nuk është ndeshje që sjell shumë presion, si ndeshjet për pikë, që në një mënyrë është domosdoshmëri për t'i fituar.

Mendoj që në ndeshjet e fundit kemi treguar lojëra të mira dhe kjo më jep shpresë që nesër do të paraqitemi mirë dhe do të kalojmë tutje në garën për Kupë", ka thënë kapiteni i Lirisë, Robert Gjeraj.

Liria stinorin vjeshtor në Superligë e ka mbyllur në pozitën e dhjetë. Ka mbledhur 19 pikë në 17 ndeshje, ndërsa bilanci i saj ishte shtatë fitore, një barazim e nëntë humbje. Prishtina është lidere pas stinorit vjeshtor me 40 pikë, një më shumë se Feronikeli.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).