Avdijaj e sheh veten pjesë të projektit të madh të Kosovës

Avdijaj e sheh veten pjesë të projektit të madh të Kosovës

07 dhjetor 2018 10:25

Sulmuesi i krahut, Donis Avdijaj, e sheh veten si pjesë të projektit të madh të përfaqësueses së Kosovës.

Avdijaj në një intervistë të gjatë dhënë të enjten për "spox.com", ka thënë se Kosova në të ardhmen do të jetë një prej përfaqësueseve të mëdha në Evropë, transmeton Koha Ditore.

"Kemi talente të mira dhe besoj se ekipi ynë ka potencial për të bërë gjëra të mëdha vitet e ardhshme. Por ne duhet të vazhdojmë me hapa të vegjël, edhe pse na ka ecur mirë në Ligën e Kombeve. Ne jemi ende prapa në shumë gjëra dhe na pret një rrugë e gjatë për të arritur në nivele të larta. Por, nëse arrijmë t'i mbajmë të gjitha talentet, mund të bëjmë një hap të madh në Evropë", ka thënë Avdijaj.

Sulmuesi i skuadrës holandeze Willem II ka theksuar se është krenar që përfaqëson Kosovën.

"Motrat e mia dhe unë jemi rritur në një familje ku janë folur dy gjuhë, prandaj njohim mirë të dy kulturat. Prindërit e mi erdhën në Gjermani si të rinj dhe nuk flisnin gjuhën gjermane, por dhanë gjithçka për t'u integruar sa më shpejt që ishte e mundur. Edhe pse kam luajtur për ekipin kombëtar gjerman gjatë fëmijërisë sime, unë mund ta quaj veten plotësisht i Kosovës dhe kjo më bën jashtëzakonisht krenar", ka theksuar Avdijaj.

Ish-sulmuesi i U-19 të Gjermanisë për përfaqësuesen "A" të Kosovës ka shënuar dy gola në gjashtë paraqitje. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme