Sport

Te Rapidi janë të kënaqur me Berishën

Trajneri i Rapid Vjenës, Dietmar Kuhbauer, është i kënaqur me paraqitjet e sulmuesit Veton Berisha.

Trajneri Kuhbauer ka theksuar se Berisha është duke e kryer punën e tij në fazën ofensive.

“Në fillim preferoja një sulmues tjetër, por tash kemi nevojë për një sulmues që luan më pranë mbrojtjes kundërshtare. Berisha është duke e kryer shumë mirë punën e tij”, ka thënë Kuhbauer për "skysportaustria.at" të hënën.

Berisha të dielën shënoi golin e fitores për Rapid Vjenën kundër Wacker Inssbruckut (1:0). Ai e realizoi golin në minutën e 92-të. Por Berisha nuk është i kënaqur me lojën që po zhvillon skuadra e tij. Shpreson të përmirësohet në të ardhmen.

“Nuk jemi duke luajtur ndeshje të mira. Mund të thoni se fituam pa meritë ndeshjen, por për ne e rëndësishme është që fituam tri pikë në këtë situatë ku jemi”, ka thënë Berisha.

24-vjeçari në 13 ndeshje ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me një asistim. Rapidi zë vendin e tetë në Bundesligën austriake me 19 pikë.