Xhudistët i kërkojnë Haradinajt përmirësimin e kushteve sportive

Xhudistët i kërkojnë Haradinajt përmirësimin e kushteve sportive

29 November 2018 13:35

Ekipi i xhudistëve të prirë nga Majlinda Kelmendi së bashku me trajnerin Driton Kuka i kanë kërkuar kryeministrit Ramush Haradinaj përmirësimin e kushteve të punës në një takim që kanë pasur me të në qeverinë e Kosovës.

Përmes komunikatës së kryeministrisë thuhet se për këtë kërkesë kanë marrë mbështetjen e Haradinajt që ka lavdëruar ekipin për medaljet e fituara sivjet.

“Kosova ka shumë vajza e djem të suksesshëm që po na bëjnë krenarë kudo në botë. Xhudistët tanë kanë arritur kulmin me medalje botërore dhe evropiane. Ju me talentin tuaj dhe punën e palodhshme, e ngritët flamurin e Kosovës në nivelet më të larta botërore të sportit dhe për këtë iu jemi mirënjohës përjetë, siç do t’i marrim përsipër edhe obligimet tona si shtet karshi juve”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj e ka përgëzuar ekipin kosovarë të xhudos për arritjet e shumta, duke thënë se janë shembulli më i mirë për të rinjtë tjerë se si duhet të punohet dhe të afirmohet vendi.

“Ju jeni gjenerata e artë e vendit dhe normë olimpike. Përkrahja për ju duhet të jetë e pakursyer dhe ne si Qeveri do të angazhohemi që krahas infrastrukturës ligjore për të cilën kemi punuar, të avancojmë edhe në infrastrukturën teknike që ju të keni kushte më të mira për të ushtruar”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj tha se është për admirim puna që po bënë ekipi i trajnerit Kuka, duke theksuar se institucionet e vendit duhet që të krijojnë kushte dhe hapësirën e duhur, në mënyrë që të rinjtë tanë mund të përfshihen më shumë në sfera të ndryshme të jetës shoqërore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme